Ne s’kemi ndër mend të merremi në këtë shkrim me rrafshin propagandistik të betejës për imunitetet. Ne do të mundohemi të kuptojmë nëse konteksti politik dhe institucional aktual është i tillë që ky ndryshim i Kushtetutës për imunitetet duhet apo jo të shoqërohet me ndryshime të tjera të ligjeve kushtetuese për numrin e votave për zgjedhjen e prokurorit të Përgjithshëm, të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.
Konteksti politik dhe institucional
Është shumë e qartë se letra e komisionerit për Zgjerim, Fyle, e tregoi më së fundi se brenda Komisionit Europian ka një vullnet absolut për t’ia dhënë Shqipërisë ftesën për statusin e kandidatit. Në këtë kuadër, miratimi i reformës për imunitetin ngjan sot emëruesi më i vogël i përbashkët për ta marrë atë ftesë. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se Bashkimi, vendet anëtare, do ta miratojnë automatikisht këtë status të ri të Shqipërisë, por Komisioni do ta bëjë të vetën. Kështu shpjegohet dhe angazhimi i fuqishëm i ambasadorit të Komisionit, Etore Sekui, për të mbaruar gjithçka brenda 6 gushtit, një afat që lidhet me mbylljen e sezonit parlamentar dhe me gjasë shënon dhe përfundimin e punës për raportin e Progresit të Shqipërisë, që do të shqyrtohet prej Komisionit Europian në vjeshtë. Me këtë sukses eventual të Shqipërisë lidhet dhe angazhimi i ambasadorit amerikan, përfaqësuesi i një shteti mik të Shqipërisë, SHBA, gjithashtu të interesuara që vendi ynë të mos mbetet pas Serbisë në garën për integrim. Edhe PD-ja është e interesuar që Shqipëria ta marrë këtë ftesë në vjeshtë, ashtu si dhe PS-ja, në kursin e ri të kryetarit të saj, sepse më vonë vërtet mund të jetë vonë. Kjo dëshirë e palëve politike është përkthyer në realitet me miratimin e amendamenteve të PS-së për imunitetin që ndryshonin diçka nga versioni demokratik, propozuar nga përfaqësuesit e misioneve të specializuara si EURALIUS etj. Atëherë, pse kjo kokëfortësi e socialistëve për ta shtyrë në shtator votimin e imuniteteve, së bashku me kuorumin e votave për drejtuesit e sistemit gjyqësor etj.?
Këtu vijmë te një moment thelbësor i kontekstit institucional aktual të Shqipërisë. Me këtë President të zgjedhur me shumicë absolute, me përfundimin e mandatit të prokurores së Përgjithshme, të disa anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të asaj Kushtetuese, mundësia që tërë sistemi i drejtësisë të politizohet, d.m.th. të bjerë në duart e një partie, është më se real. Ata zgjidhen sipas Kushtetutës me të paktën 71 vota, kështu që praktikisht, në muajt që do të vijnë, ky skenar, ky model funksionimi njëngjyrësh i tërë shtetit, si ai që kemi parë në vitet ‘92-‘97, është në prag. Është pikërisht kjo perspektivë që e bën Kryeministrin të ngjajë tani shumë i dëshiruar për heqjen e imunitetit. Deri më sot ai është tallur me historinë e imunitetit kur ka propozuar heqje vullnetare nga deputetët, një lëvizje pa asnjë vlerë kushtetuese. Edhe studenti më i thjeshtë i Drejtësisë e di që imuniteti është një institut kushtetues dhe se ai mund të reduktohet vetëm e vetëm me ndryshim kushtetues. Sot muzika është tjetër dhe ndërkombëtarët s’merren më me teatrin e dorëzimit të vullnetshëm të imunitetit. Sot konteksti është tjetër. Nëse me përbërjen e mëparshme të anëtarëve të gjykatave më të rëndësishme, imuniteti duhej shembulli i proceseve mbi ministrin e Mbrojtjes, të Transporteve etj., me përbërjen e re që do të vijë prej PD-së, ky imunitet nuk ka më të njëjtën rëndësi. Ndërkohë, reforma parashikon dhe heqjen e imunitetit të sistemit të drejtësisë. Nëse dhe me imunitet, përfaqësues të saj iu nënshtruan presionit të Ekzekutivit – shih shembullin e Kolegjit Zgjedhor në vendimin për Tiranën – atëherë aq më shumë, pa imunitet, ata nuk do t’i rezistojnë këtij presioni.
Frika e opozitës dhe një zgjidhje
Është kjo frika kryesore e opozitës, e cila përballë ndryshimit të kontekstit institucional prej ndryshimeve kushtetuese, përfundimit të mandateve në gjykatat më të rëndësishme, sheh se shteti do të bjerë në një dorë. Në një perspektivë si kjo, rrotacionet e pushtetit bëhen shumë të vështira, duke pasur përballë një njeri të provuar si Kryeministri se çfarë di të bëjë kur ka tërë shtetin në dorë. Opozita synon që duke shfrytëzuar urgjencën kohore – datën 6 gusht – urgjencë e të gjithëve, e BE-së, e qeverisë, të miratojë njëherësh dhe këto ndryshime në kuorumet që do të siguronin vendosje të ekuilibrave më të drejtë mes pushteteve në këtë kontekst të ri. Anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, prokurorja e Përgjithshme do të vinin prej një shumice të cilësuar – 2/3 ose 3/5, pra me garanci më të mëdha për paanshmëri, se sa po të vinin me shumicën absolute që ka qeveria sot.
A ka brenda këtij insistimi të opozitës dhe një lojë politike? A ka dhe një prapavijë qëllimesh ngushtësisht partiake që janë përtej nevojës për të ruajtur ekuilibrat, drejtpeshimin e shtetit në rrethanat e reja? Po, me shumë gjasa. Edi Rama, i bërë pishman për ndryshimin e beftë të Kushtetutës së bashku me qeverinë në 2008-n, don të riparojë pasojat e atyre ndryshimeve dhe të ngjajë në sytë e opinionit publik, të votuesve të vet, si fitues, si dikush që e detyron Berishën të përkulet dhe të pranojë ndryshimet e ligjeve kushtetuese për Gjykatën e Lartë, atë Kushtetuese dhe Prokurorinë. Epo kjo është diçka që Berisha nuk don ta pranojë lehtësisht. Kjo është arsyeja pse ai tenton ta delegjitimojë opozitën duke i etiketuar kërkesat e saj si të motivuara nga nevoja e ruajtjes së imunitetit për “miliarderët e PS”.
Dhe cila është zgjidhja në rrethana të tilla? Pa ndërkombëtarët, në një përplasje si kjo, nuk ka zgjidhje, dhe Shqipëria mund ta humbë rastin për ta marrë ftesën. Nevoja për ruajtjen e ekuilibrave të pushteteve është interes madhor i demokracisë në Shqipëri, dhe mosrrëshqitjes së saj në skenarë autoritarë si ato të viteve ‘92-‘97, kur Kryeministri doli jashtë kontrollit të perëndimorëve. Pra, është dhe interes perëndimor ruajtja e stabilitetit të shtetit në një perspektivë që mund të verifikohet shumë shpejt. Ambasadorët perëndimorë, që duhet të ngrihen mbi logjikën e mandateve të tyre, d.m.th. nevojës për të raportuar suksese afatshkurtra, duhet të ndërhyjnë me forcë. Një zgjidhje do të ishte: miratim i imuniteteve tani, më 6 gusht, dhe marrëveshje me shkrim që në shtator të miratoheshin ndryshimet që kërkon opozita. Ose dhe miratim i ndryshimeve që tani. Brenda pak kohësh, më 2008-n, dy palët bënë ndryshime shumë më thelbësore sesa këto që propozohen sot. Pra koha nuk është një problem nëse imponohen palët që të arrijnë marrëveshje në të dy frontet – imunitet, plus kuorum i ri për zgjedhjen e krerëve të sistemit të drejtësisë. Kryesorja është që dhe miqtë ndërkombëtarë, ambasadorët që kanë mandate 2-4-vjeçare, të binden se kanë në dorë edhe njëherë fatin e demokracisë në Shqipëri. Nëse pushtetet bien në një dorë, atëherë askush s’mban përgjegjësi se ç’do të ndodhë.
Marre nga Panorama 3 gusht/2012
(sg/shqiptarja.com)