Njazi Jaho: Shkarkimi i Ina
Ramës me Komision Hetimo

TIRANE-  Në një intervistë për gazetën Shqiptarja.com, konstitucionalisti, Niazi Jaho flet rreth debatit që është përfshirë mazhoranca dhe opozita lidhur me mbarimin e mandatit të kryeprokurores së Përgjithshme. Ai sqaron se eksiztojnë dispozita të caktuar ligjore që përcaktojnë mjaft mirë se kur përfundon mandati i kryeprokurores. Jaho flet dhe për efketin prapaveprues të ligjit në këtë rast.

z.Jaho, drejtues të mazhorancës qeverisëse dhe të opozitës kanë shprehur mendime të ndryshme për kohën se kur duhet të zgjidhet Prokuri i Përgjithshëm. Të parët janë shprehur për muajin nëntor 2012, të dytët për muajin maj 2013. Cili është mendimi juaji në aspektin ligjor dhe kushtetues të problemit?


Për këtë çështje ka dhënë informacione media. Kështu që me qëndrimet e ndryshme jemi njohur, më pak me aurgumente ligjore dhe kushtetuese dhe më shumë me konsiderata të natyrës politike. Në fakt ky është një problem ligjor dhe kushtetues. Kam qenë dhe jam i mendimit se për probleme të tilla që ka kundërshti, (ato mund të jenë normale ), veç të mirës nuk do kishte asgjë të keqe po të kërkohej dhe inkurajohej edhe mendimi i specialistëve të kësaj gjuhe, megjithëse siç duket është Presidenti i Republikës që do të dekretojë emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm, se është Kuvendi që do të japë pëlqimin. Por pavarësisht nga qëndrimet që mbahen për këtë çështje nga njëra anë apo nga tjetra palë, meqë pyetem po shpreh mendimet e mëposhtme: Prokurorja e Përgjithshme, në mos gaboj është zgjedhur në këtë funksion në 21 ose në 22 nëntor 2007. Në atë kohë Kushtetuta nuk parashikonte ndonjë mandat. Në 21 prill 2008 u bënë disa ndryshime në Kushtetutë, midis tyre edhe në nenin 149 pika 1 e saj. Ky ndryshim konsiston në faktin për Prokurorin e Përgjithshëm, u caktua mandati 5 vjeçar. Kur u ndryshua dispozita e mësipërme nuk del të jetë arritur edhe konsensusi i gjerë që ky mandat të fillonte nga koha (ose dita) e emërimit të Prokurores së Përgjithshme. Nëse do të ishte arritur një konsensus i tillë (përjashtim ky tepër i diskutueshëm)kjo duhej fiksuar në një dispozitë kalimtare. Po të kishte ndodhur kjo edhe pse dispozita kalimtare mund të kritikohej, ajo do të zbatohej pa qenë e nevoja që sot të diskutohej se kur fillon mandati 5 vjeçar.

Përse mendoni se dispozita kalimtare do të ishte një përjashtim tepër i diskutueshëm?
Sepse rregulli ose parimi i përgjithshëm është se ligji i miratuar nuk ka fuqi (ose efekte) juridike prapavepruese, që do të thotë se mandati 5 vjeçar nuk mund të përfshijë dhe periudhën kur funksioni i Prokurorit të Përgjithshëm ishte pa mandat.

Ç`rëndësi mund të kishte zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm 6-7 muaj më parë ose 6-7 muaj më vonë?
Kur është çështja e respektimit të të germës dhe frymës së Kushtetutës, e zbatimit të parimit të sigurisë juridike, element përbërës i të cilit është dhe moslejimi (ndalimi) i fuqisë prapaverpuese të ligjit, nuk do të ishte e lejueshme të bëheshin llogari të tilla. Sesa i dëmshëm do të ishte precedenit i cënimit të parimit të mësipërm, që është njëkohësisht cënimi i shtetit të së drejtës, më lejoni që në mënyrën hipotetike të parashtrojë shembullin e mëposhtëm. Le të pranojmë për një çast që Prokurorja e Përgjithshme është zgjedhur në 21 prill 2003, ndërsa mandati 5 vjeçar për këtë funksion u caktua në 21 prill 2008. (Në fakt kështu edhe ndodhi). Nëse do t`i përmbahemi logjikës të atyre që sot mendojnë se Prokurorit të Përgjithshëm mandati i fillon nga data e emërimit të tij, në rastin e mësipërm ai duhet të zgjidhej në muajin maj 2008. Kjo do të thotë se mandati 5 vjeçar do të përfshinte periudhën 21 prill 2003 deri në 20 prill 2008 që ai nuk ka patur mandat! Nëse ky variant hipotetik nuk do të pranohej, nuk do të kishte arsye dhe argumente të thuhej se Prokurori i Përgjithshëm duhet zgjedhur në nëntor 2012, sepse zbatimi i parimeve që përmendëm më lart nuk mund të kushtëzohet nga koha relativisht e gjatë apo e shkurtër që për funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm nuk ka patur mandat.

A mund ta sqaroni pak më mirë se ç`farë është ky "efekt prapaveprues"?
Rregulli i përgjithshëm se ligjet nuk kanë efekte prapavepruese nuk trajtohet vetëm në doktrinën dhe praktikën kushtetuese, por edhe në fushën penale, civile, administrative etj. Kështu p.sh në nenin 29 pika 2 dhe 3 të Kushtetutës thuhet se "nuk mund të jepet një dënim më i rëndë se ai që ka qenë parashikuazr me ligj në kohën e kryerjes së veprës penale" se "ligji penal favorizues ka fuqi prapavepruese". Në praktikën relativisht të gjatë të Gjykatës Kushtetuese, problemi i mësipërm sipas rasteve lejohet shqyrtimi, është trajtuar duke iu referuar parimit të sigurisë juridike dhe të moslejimit të efektit prapaveprues të ligjit. Në këtë drejtim ka mjaft vendime të Gjykatës Kushtetuese, por unë mjaftohem t`i referohem vetëm njërit prej tyre, atij më datë 31.01.2003, ku midis të tjerave thuhet "Në aspektin kushtetues ligji me fuqi prapavepruese është i kundërshtueshëm nëqoftë se cënon të drejtat e fituara me ligjet ekzistuese". Siç duket deri në ndryshimet që iu bënë Kushtetutës (22 prill 2008), për Prokurorin e Përgjithshëm as në Kushtetutë dhe as në ligjin përkatës organik, nuk ishte caktuar ndonjë mandat. Kjo do të thotë se zgjedhja e prokurorit të ri në nëntor te 2012 do të ishte e parakohshme dhe si rrjedhim do të cënohej një e drejtë Kushteuese, e drejtë kjo që e legjitimonte atë (prokurorin)të vazhdonte ushtrimin e detyrës deri në muajin maj të 2013.

Një jurist është shprehur se Prokurorja e Përgjithshme meriton të shkarkohet për moskryerjen e detyrës për shkelje të rënda ligjore dhe kushtetuese. A mundet që prokurorja të shkarkohet në nëntor 2012 dhe të zgjidhet prokurori i i ri?
Edhe sikur ky apo ai jurist të jetë shprehur në këtë mënyrë, kjo mund të ishte konsideratë personale e tij dhe nuk preferoj të komentojë çështje të kësaj natyre. Nëse problemi shtrohet a mundet Prokurorja e Përgjithshme të shkarkohej apo të shkarkohet, unë mund të përgjigjem: Po, mundet në rastet e parashikuara nga neni 149, pika 2 e Kushtetutës nëpërmjet ngritjes së një Komisioni Hetimor. Problemi i mandatit dhe ai i shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm, siç dihet, janë dy çështje krejt të ndryshme.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 27 Janar, 09:30

    A mendoni se vota e diasporës do të jetë përcaktuese në zgjedhje?



×

Lajmi i fundit

Minella Aleksi: Historia nuk përsërit veten, njerëzit shpesh e bëjnë për mirë ose për keq

Minella Aleksi: Historia nuk përsërit veten, njerëzit shpesh e bëjnë për mirë ose për keq