Gjinari është kthyer këto ditë në një kartolinë të vërtetë e një dimri që nuk është gati të largohet e t'ia lerë vendin verës. Bujtinat e mbuluara nga bora, rrugët gjarpëruese, pishat e larta me maja të bardha dhe tymi që ngrihet nga oxhakët krijojnë një atmosferë që të duket si e dalë nga një përrallë.

I vendosur rreth 22–24 kilometra larg Elbasanit, ky fshat malor mbetet një ndër destinacionet më të preferuara për ata që kërkojnë qetësi, ajër të pastër dhe natyrë të paprekur. Jo më kot, kjo video e publikuar sot edhe nga kryeministri Edi Rama nxjerr në pah pikërisht këtë anë të Gjinarit,  një vend i thjeshtë, por me një bukuri që s’të del nga mendja.

Zona e Shpatit, ku bën pjesë Gjinari, është ndër më të pasurat për nga resurset natyrore. Në verë ofron freski dhe gjelbërim, ndërsa në dimër shndërrohet në një panoramë të bardhë që të fton për arratisje nga rutina.

Pyjet e dendura dhe peizazhi malor janë pasuria kryesore e kësaj zone. Mali i Bukanikut, që ngrihet mbi 1831 metra mbi nivelin e detit, mbetet një nga pikat më të preferuara për ngjitje dhe eksplorim.

Por Gjinari nuk është vetëm një kryevepër e natyrës. Krahina e Shpatit ka një histori të hershme që shkon deri në kohën e bronzit. Në rrugën drejt tij ndodhet Shelcani, ku vizitorët mund të ndalen në kishën e Shën Kollit, një objekt i shekullit të XVI me afreskë të realizuara nga ikonografi i njohur Onufri.

Zona është e pasur edhe me objekte të tjera të trashëgimisë kulturore, si kishat e Valëshit, Gjinarit, Pashtreshit dhe Sterstanit. Ndër më të veçantat mbetet Kisha e Shën e Premtes në Valësh, e pikturuar në vitin 1554 në stilin bizantin.

Ndërkohë, natyra fsheh edhe monumente të rralla si Dushku i Lleshanit, një pemë shumë shekullore e shpallur monument natyre, e rrethuar me legjenda që vazhdojnë të tregohen edhe sot.

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 27 Mars, 08:12

    Rritja e çmimit të ushqimeve, a duhet të marrë masa qeveria për të mbrojtur konsumatorët?