“Një avion grek që fluturonte në katundet Hoxhaj e Markat, u rrëzua nga forcat shqiptare në fushën e Finiqit dhe piloti…”/ Si i përcolli shtypi i Tiranës, “Provokacionet e gushtit ‘49”?

“Një avion grek që fluturonte në katundet Hoxhaj e Markat, u rrëzua nga forcat shqiptare në fushën e Finiqit dhe piloti…”/ Si i përcolli shtypi i Tiranës, “Provokacionet e gushtit ‘49”?

Është publikuar historia e panjohur të ngjarjeve të gushtit të vitit 1949, të njohura ndryshe si “Provokacionet e Gushtit”, ku forca të shumta të ushtrisë qeveritare greke të kryeministrit Caldaris, të mbështetura nga artileria dhe aviacioni, ndërmorën sulme të armatosura në kufijtë juglindorë të Republikës Popullore të Shqipërisë në rrethet e Kolonjës dhe Korçës, duke hyrë disa herë qindra metra në thellësi të tokës sonë.

Si i përcolli Tirana zyrtare ngjarjet e “Provokacioneve të Gushtit” nëpërmjet shtypit të saj (gazeta “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi”) dhe Agjencisë Telegrafike Shqiptare, të cilat publikonin lajmet nga fronti i luftës, komunikatat operative të Ministrisë së Forcave t’Armatosura të Republikës Popullore të Shqipërisë, lajmet nga rrethet e Korçës, Kolonjës, Skraparit, Tepelenës etj. Ku zhvilloheshin ceremonitë e varrimit të ushtarakëve shqiptarë që vriteshin në frontin e luftës, si dhe notat e protestës që qeveria shqiptare nëpërmjet zv/ministrit të Punëve të Jashtëme të asaj kohe, Manush Myftiu, i dërgonte Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Shkëlqesisë Trigve Lie Lake në Neë York. Të gjitha detajet e atyre ngjarjeve që shkaktuan mbi 100 ushtarë dhe oficerë shqiptarë të vrarë, të cilat u bënë objekt debatesh dhe mbledhjesh të shumta deri në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku Tirana dhe Athina bënin fajtore njëra-tjetrën

72 vite më parë, më 2 gusht të vitit 1949, disa reparte të ushtrisë qeveritare greke, të mbështetura nga artileria dhe aviacioni luftarak, sulmuan me zjarrin e armëve të tyre në disa pika të kufijve juglindorë të Republikës Popullore të Shqipërisë në rrethet e Korçës dhe Kolonjës. Si rezultat i atyre sulmeve të ndërmarra prej tyre, forcat qeveritare të ushtrisë greke, të cilat Tirana zyrtare i etiketonte si: monarko-fashiste, mundën të hynin disa herë me qindra metra në thellësi të tokës shqiptare, si në fshatin Bozhigrad, sektorin Vidohovë etj., ku ato u ndeshën me rezistencën e rojeve shqiptare të kufirit dhe forcave të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit që ishte instaluar prej kohësh në rrethin e Korçës.

Ai konflikt i armatosur ndërkufitar, i cili zgjati për më shumë se një muaj dhe ku pati me qindra të vrarë e të plagosur (si nga pala shqiptare dhe ajo greke), nga historiografia shqiptare dhe propaganda e regjimit komunist të para viteve ‘90-të është njohur si: “Provokacionet e gushtit 1949”, dhe si e tillë ajo ngjarje ka mbetur edhe në memorien historike të shqiptarëve në disa breza. Por, a ka qenë realisht kështu? Pra, a kanë qenë vërtet provokacione të grekëve dhe Athinës zyrtare ngjarjet e gushtit 1949? E vërteta rreth kësaj enigme është bërë publike vetëm pas viteve ’90-të, kur me hapjen e arkivave sekrete dhe dokumenteve të shumta zyrtare të shtetit shqiptar, si dhe nga dëshmitë e mjaft personave dhe personazheve të njohur, aktorë kryesorë apo periferikë të atyre ngjarjeve të ndodhura plot 72 vite të shkuara, u bë e mundur të hidhet dritë dhe të ndriçohen tërësisht “Provokacionet e gushtit”.

Veç të tjerash, mbi ato ngjarje ka dëshmuar publikisht edhe koloneli në pension, Skënder Malindi, ish-Shefi Operativ në Ministrinë e Mbrojtjes në atë kohë që drejtoi luftimet në terren, si dhe koloneli në pension, Myftar Tare, ish-zv/ministër i Punëve të Brendshme dhe drejtor i Zbulimit me Jashtë në Sigurimin e Shtetit në vitet 1945-‘48, i cili personalisht ka drejtuar operacionin sekret “Aksioni 10”. Ai operacion, i cili vazhdoi për gati pesë vjet me radhë në vitet 1945-‘49 (kohë që zgjati dhe lufta civile në Greqi në mes forcave të ushtrisë qeveritare nacionaliste dhe atyre komuniste të udhëhequra nga Partia Komuniste Greke, e kryesuar nga Niko Zahariadhis dhe komandanti ushtarak i atyre forcave partizane, gjenerali Marko Vafjadhis), kishte të bënte me mbështetjen, ndihmën, furnizimin, financimin, strehimin e gjithçka tjetër që regjimi komunist i Enver Hoxhës u jepte forcave komuniste greke.

Jo vetëm kaq, por gjatë gjithë atyre viteve që vazhdoi lufta civile në Greqi, krerët kryesorë të Partisë Komuniste të Greqisë, strehoheshin në vila luksoze në Tiranë, duke u pritur në takime nga krerët më të lartë të Tiranës zyrtare. Po kështu edhe mali i Gramozit dhe zona të tjera në brendësi të kufirit shtetëror në zonën e Korçës dhe Kolonjës, ishin kthyer në baza të ushtrisë partizane greke të gjeneralit Marko Vafjadhis dhe aty ishin ngritur edhe disa spitale ushtarake ku kuroheshin dhe mjekoheshin partizanët grekë. Si rezultat i gjithë këtyre, të cilat Athina zyrtare e asaj kohe i konsideronte ndërhyrje zyrtare në punët e brendshme të saj, në gushtin e vitit 1949, ajo i sulmoi forcat partizane greke deri në pozicionet e tyre të fundit, në malin e Gramozit, duke i ndjekur ata edhe brenda territorit shqiptar, ku partizanët grekë u tërhoqën për t’u shpëtuar sulmeve shkatërrimtare të forcave qeveritare greke.

Si rezultat i atyre ngjarjeve dhe luftimeve të ashpra në malin e Gramozit, qeveria komuniste e Tiranës u hapi kufijtë, duke i strehuar partizanët grekë në territorin e saj. Më pas ata u sistemuan në disa kampe që u ngritën enkas në disa rrethe të vendit, deri në afërsi të Tiranës dhe më vonë u lejuan të largoheshin në vendet e tjera komuniste të Evropës Lindore, kryesisht në Bashkimin Sovjetik, i cili ishte dhe aktori kryesor që kishte mbështetur e financuar komunistët grekë në përpjekjet e tyre për të ardhur në pushtet me forcën e armëve.

Ndërsa këto ngjarje tashmë janë bërë të njohura prej kohësh, Memorie.al në këtë shkrim po publikon jehonën që patën ato ngjarje në Shqipërinë e asaj kohe, apo më saktë se si u përcollën ato ngjarje nga Tirana zyrtare dhe shtypi i saj, duke botuar disa nga artikujt dhe shkrimet e gazetës “Bashkimi” të periudhës gusht-shtator 1949, si dhe lajmet e Agjensisë Telegrafike Shqiptare të asaj kohe.

 Lajmet e Agjensisë Telegrafike Shqiptare dhe gazetave “Bashkimi” e “Zëri i Popullit”, për ngjarjet e “Provokacioneve të Gushtit 1949”

 Komunikatë Operative e Ministrisë së Forcave t’Armatosura të Republikës Popullore të Shqipërisë.

 Data 3 Gusht 1949

Forca Monarko-Fashiste të përbëra nga 3 batalione të përforcuara me Artileri dhe të përkrahura nga 15 aeroplanë “SPITFIRE”, më datën 2.5.1949 ora 5.00 sulmuan në befasi dhe tradhtisht tokën tonë në sektorin e Bozhigradit piramida 54-55 me një front prej 700-800 metro gjerësi. Mbas shtatë orë luftimesh shumë të ashpra me repartet e rojës së kufirit të Divizionit të Mbrojtjes Popullit, mundën të hyjnë në thellësi të tokës s’onë deri 300-400 metro duke marrë kuotën 1309 dhe të rrahin me artileri katundin Vidohovë. Forcat t’ona në ora 18.30 sulmojnë Monarko-fashistët që kishin hyrë në tokën tonë, i ndjekin deri në kufi dhe vendosin situatën.

Nga luftimet e zhvilluara janë vrarë trimërisht: Kapiten Memo Nexhipi nga Dukaj i Tepelenës, Aspirant Ferit Bregasi nga Vëndresha e Çorovodës, ushtar Tefik Ferati nga Marjani i Oparit, ushtar Shyqëri Avdyli nga Skrapari, ushtar Ibrahim Fetahu nga Lushnja dhe ushtar Hasan Ramadani nga Shijaku. Gjithashtu janë plagosur dhe 6 ushtarë. Monarko-fashistët në këto luftime kanë patur përmbi 100 vetë të vrarë dhe të plagosur si dhe rreth 50 kafshë. (ATSH).

Populli i Korçës përcjell me veneracion trupat e gjashtë dëshmorëve të rënë nga akti agresiv i monarko-fashistëve grekë

Korçë, 4 Gusht 1949 (ATSH).

Populli i Korçës priti me pikëllim të thellë trupat e 6 dëshmorëve trima që dhanë jetën e tyre duke mbrojtur trimërisht kufijtë e dheut tonë nga sulmi agresor i tre batalioneve t’ushtrisë monarko-fashiste greke që sulmuan në befasi tradhtisht tokën tonë më 2 Gusht më sektorin e Bozhigradit. Ndërsa kufomat e kapiten Memo Nexhipit nga Dukaj i Tepelenës dhe aspirant Ferit Bregasi nga Vendresha e Çorovodës u përcoll në vendet e tyre të lindjes, trupat e katër ushtarëve; Tefik Ferhati, Hasan Ramazani, Shyqëri Avdija dhe Ibrahin Fetahu u vendosën në mëngjes në sallën e pallatit të Komitetit Ekzekutiv. Populli i qytetit të Korçës, punëtorët, nënpunësit, nxënësit e ushtarët bënë homazhe dhe përkulën me veneracion të thellë para kufomave të këtyre ushtarakëve të cilët për mbrojtjen e kufijve dhe sovranitetit t’Atdheut t’onë, për mbrojtjen e fitoreve të gjertanishme të popullit, luftuan heroikisht kundra agresorëve monarko-fashistë deri sa dhanë dhe jetën e tyre.

Populli i qytetit të Korçës ashtu si gjithë populli shqiptar e priti me indinjatë të thellë këtë akt agresiv të monarko-fashistëve grekë, i cili i shtohet vargut të provokacioneve dhe shantazheve të bëra kohët e fundit dhe më parë nga ana e banditëve dhe kriminelëve monarko-fashistë kundër vendit t’onë. Vargu i pambaruar i popullit vazhdoi për shumë orë rresht duke i dhënë lamtumirën e fundit këtyre katër trimave që me sakrificën e tyre treguan shpirtin e lartë patriotik që frymëzon gjithë ushtrinë t’onë. Populli i qytetit të Korçës ashtu si gjithë populli ynë, u premton atyre se do të ndjekë me besnikëri porosinë e partisë dhe të Komandantit e të tyren që: “Për mbrojtjen e atdheut dhe të fitoreve të luftës N-Çl. të mos kursej jetën”.

Më tepër se 7000 veta nga populli i lagjeve, punëtorët e qendrave të punës, u grumbulluan para pallatit të Komitetit Ekzekutiv për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të këtyre katër luftëtarëve mbrojtës të independencës s’atdheut, lirisë, popullit, mbrojtës të paqes dhe demokracisë. Në mes të sheshit ishin vendosur arqivolët dhe në ballë rreshtoheshin përmbi 40 kurora t’organizatave, lagjeve, fabrikave, institucioneve kulturore etj. Anëtarët e Byrosë të Komitetit të Partisë, oficerët e Garnizonit dhe shokët e tyre që qenë në luftë me ta, ngritën arqivolët dhe kortezhi u drejtua për në varrezat e dëshmorëve. Në krye të kortezhit qëndronin kurorat, pastaj familjet e dëshmorëve, shokët e katër ushtarakëve dhe nga të dy anët ishte rreshtuar populli. Në vendin e varrimit një oficer i Ushtrisë t’onë Popullore, i cili u ndodh në sulmin tradhtar të banditëve monarko-fashistë, foli mbi heroizmin dhe abnegacionin me të cilën këta katër ushtarë mbrojtën Atdheun e tyre.

Ai tha se Ushtria jonë Popullore, e edukuar nga Partia dhe shoku Enver, i ka vënë si detyrë që të mos kursejë as edhe jetën kur është puna për të mbrojtur vendin, popullin dhe paqen në botë. Thëniet e ushtarit Tefik Ferati nga Marjani i Oparit në kohën kur vdiste nga plagët e rënda që mori prej dorës së agresorëve monarko-fashistë do të jenë shembëll për ne: “Shokë të mi, mos lejoni që toka jonë të shkelët nga agresorë, mos leni që fitoret e popullit të preken, mbani lart porosinë e Partisë dhe të Komandantit Suprem, se për mbrojtjen e Atdheut t’onë nuk duhet kursyer as edhe jetën”. Pas fjalimit të oficerit, u bë varrimi i kufomave të ushtarëve shoqëruar nga të shtëna pushkësh.

Në këtë kohë një valë e madhe proteste dhe indinjate e thellë ka përshkuar të gjithë popullin shqiptar për këtë akt agresiv të monarko-fashistëve grekë që prekën integritetin t’onë tokësor dhe principet e të drejtës ndërkombëtare dhe janë një rrezik i dukshëm për paqen dhe sigurimin ndërkombëtar. Parullat “Kufijtë tanë nuk preken, kufijtë tanë janë të shenjtë”, etj., qenë të shumta nga ana e popullit. Akti agresiv dhe kriminal i 2 Gushtit nga ana e monarko-fashistëve Grekë dëshmon kjartë politikën armiqësore dhe luftëdashëse të qeverisë monarko-fashiste t’Athinës.

Qeveria e R. P. të Shqipërisë proteston pranë Sekretariatit të Përgjithshëm të UNO-s për aktin agresiv të 2 Gushtit

       Tiranë. ATSH.

Ndihmës Ministri i Punëve të Jashtme shoku Manush Myftiu i dërgoi sot sekretarit të Përgjithshëm të UNO-s këtë telegram proteste në lidhje me aktin agresiv të monarko-fashistëve grekë më 2 Gusht.

SHKËLQESISË TRIGVE LIE LAKE – SUCCESS NEW YORK.

Në emër të Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë kam nderin të vë ne dijeninë tuaj sa më poshtë: Më 2 Gusht, forca të Ushtrisë së qeverisë s’Athinës të përbëra prej tre batalionesh të riformuara me artileri dhe të mbështetura nga 15 aeroplanë “Spitfhire”, sulmuan befasisht në sektorin e Bozhigradit, piramidën 54-55, duke hyrë 300-400 metra në thellësi të tokës s’onë. Mbasi zunë kuotën 1309, goditën me artileri fshatin Vidohovë. Mbas një përpjekje të ashpër që zgjati 7 orë, forcat t’ona të kufirit i shtytën dhe rivendosën gjendjen.

Në këtë përpjekje mbetën të vrarë 2 oficera dhe 4 ushtarë Shqiptarë. Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë proteston me ashpërsinë më të madhe kundra këtij agresioni të ri të përgatitur dhe të kryer me qëllime të përcaktuara nga Qeveria e Athinës dhe që përbën një shkelje flagrante t’integritetit toksor e të sovranitetit Kombëtar të Republikës Popullore të Shqipërisë. Qeveria e republikës Popullore të Shqipërisë tërheq vëmendjen e Sekretarit të Përgjithshëm t’Organizatës së Kombeve të Bashkuara për këtë akt agresiv dhe kriminal në shkallë të gjerë të kryer nga Qeveria e Athinës dhe që është rezultat i tërë politikës armiqësore dhe luftëdashëse që ajo ndjek me këmbëngulje kundër Republikës Popullore të Shqipërisë.

Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë i tërheq vëmendjen Sekretarit të Përgjithshëm mbi përgjegjësinë e rëndë që bie mbi qeverinë e Athinës për këtë shkelje brutale të sovranitetit kombëtar të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe që në një mënyrë flagrante shkel principet e së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara duke venë në rrezik mbrojtjen e paqes dhe sigurimit ndërkombëtar.

Pranoni zoti Sekretar i përgjithshëm, sigurimet e konsideratës s’ime më të lartë.

Tiranë më 5-8-1949

                                  Manush Myftiu

              Ndihmës Ministër i Punëve të Jashtme

Presidiumi i Kuvendit Popullore të R.P. të Shqipërisë, dekoron oficerët dhe ushtarët që ranë dëshmorë nga akti agresiv i monarko-fashistëve grekë

Tiranë 5 Gusht 1949 (ATSH).

Në mbështetje të art. 54 nr. 7 të Statutit të R.P të Shqipërisë dhe të nenit 4. Nr. 12 të ligjës Nr.303 dt. 26.11.1945 mbi Presidiumin e Kuvendit Popullor mbi propozimin e Kryetarit të Qeverisë; Kryesija e Presidiumit të Kuvendit Popullor dekoron:

Me Urdhërin e Trimërisë dëshmorët:

  1.  Kapiten i II Memo Nexhip Bejko
  2. Aspirant Ferik Naim Bregasi

Me këtë motivacion: “Gjatë shërbimit për mbrojtjen e kufijve t’atdheut nga shkeljet dhe provokacionet e monarko-fashistëve grekë është dalluar për trimëri, rezistencë dhe vetëmohim deri sa u vra, që u bë shembull qëndrese për ushtarët e tjerë”.

Gjithashtu u dekoruan me medaljen e trimërisë dëshmorët: Tefik Ferati, Shyqëri Avdija, Ibrahim Fetahu, Hasan Ramadani: “Gjatë shërbimit për mbrojtjen e kufivet t’atdheut nga shkeljet e monarko-fashistëve grekë është dalluar për trimëri, besnikëri dhe vetmohim”.

Kryesia e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë.

Kryetari Dr. Omer Nishani d.v. Sekretari (Sami Baholli) d.v.

Komunikatë Operative e Ministrisë së Forcave t’Armatosura të Republikës Popullore të Shqipërisë.

Datë 6 gusht 1949.

Gjatë ditës 4.VIII-1949, monarko-fashistët Grekë kanë vazhduar provokacionet e tyre të poshtra kundra vendit tonë në kufirin e jugut. Në sektorin e Bozhigradit dhe në drejtim të Leskovikut, n’afërsi të piramidave Nr. 11-12-13 e 14. E mbështetur nga artileria dhe aviacion, me forca superiore sulmuan kuotën 1425 dhe kuotën 1309. Kundra sulmet e forcave tona i thyen monarko-fashistët duke i nxjerrë jashtë kufirit. Në përpjekjet që kanë pasur rojet tona të kufirit me banditët dhe kriminelët agresorë monarko-fashistë, në piramidën Nr. 1425 gjatë ditës së sotme armiku përdori artileri dhe aviacionin. Rojet tona të kufirit rrëzuan një avion që merrte pjesë në sulm.

Gjatë datës 4 dhe 5 Gusht 1949, në tokën tonë kanë rënë më shumë se 1500 predha artilerie. Një pjesë e këtyre predhave të rëna në Mengulat kanë djegur 5 shtëpi. Në Bozhigrad në datën 5.VIII.1949 kanë rënë pesë predha artilerije armike të cilat nuk kanë shkaktuar dëme.

Në ora 7.55 datë 4.VIII.1949, një aeroplan i banditëve monarko-fashistë fluturoj mbi tokën tonë mbi katundet Hoxhaj dhe Markat. Aeroplani i qëlluar nga forcat tona ra në fushën e Finiqit afër Sarandës. Piloti u kap i gjallë.

Në orën 14.00 datë 5.VIII-1949 në afërsi të piramidës Nr. 15 u dorëzuan 5 ushtarë monarko-fashistë.

Në sektorin e Leskovikut në datën 3.VIII-1949 janë kapur dy oficerë Monarko-Fashistë; Nëntoger Skuras Dhërios dhe nëntogeri Trulinos Manolis, që të dy efektivë të batalionit 627 Brigada e 74 e fanteris. Morali i Monarko-fashistëve është shumë i ulët.

Robërit e zënë tregojnë se shumë ushtarë monarko-fashistë kanë hedhur armët dhe janë fshehur nëpër pyje.

 Në Tepelenë u bë ceremonia e varrimit të dëshmorit Memo Nexhipi

            Tepelenë

Dje paradite në qytetin e Tepelenës u varros trupi i dëshmorit kapiten Memo Nexhipi, i cili ra dëshmor nga plumbi i provokatorëve monarko-fashistë më 2 Gusht. Merrnin pjesë përmbi 1500 veta nga populli i qytetit dhe katundet e afërta. Me këtë rast foli shoku Njazi Islami, i cili në emër të Komitetit Qendror të PPSH-së i dha përshëndetjen e fundit dëshmorit. Pas përshëndetjes nga populli u dërguan dy telegrame; njeri Komitetit Qendror të PPSH-së, tjetri Gjeneral-Kolonel Enver Hoxhës.

Në këto telegrame populli shpreh urrejtjen e pafund për provokacionet e kryera nga monarko-fashistët grekë dhe ndërhyrjet e poshtra t’imperialistve anglo-amerikanë kundër vendit dhe popullit t’onë. Në kohën e varrimit të dëshmorit Memo Nexhipi, ati i tij, ndër të tjera tha: “Të rrojë Partia dhe shokët e Memos”. Pas varrimit pjesmarrsit shpërthyen në demonstrata duke hedhur parulla: “Rroftë Ushtria jonë Popullore”. “Poshtë Monarko-fashistët grekë dhe ndërhyrjet e poshtra të anglo-amerikanëve”, si dhe parrulla të tjera urrejtëse për armiqtë.

Qeveria e R. P. të Shqipërisë proteston përsëri pranë Sekretarit të Përgjithshëm të UNO-s për aktet agresive të monarko-fashistëve grekë

Tiranë (ATSH).

Ndihmës Ministri i Punëve të Jashtme, shoku Manush Myftiu i dërgoi sot Sekretarit të përgjithshëm të UNO-s këtë telegram proteste në lidhje me aktet agresive të monarko-fashistëve Grekë në datat 2-4 dhe 5 Gusht.

SHKËLQESIA SË TIJ TRYGVE LIE, LAKES SUCERSS NEW YORK

Në emër të Qeverisë së R.P. të Shqipërisë kam nderin t’ju vë në dijeninë tuaj sa vijon:

Forca të armatosura të Qeverisë së Athinës kanë vazhduar të sulmojnë edhe në datat 3-4 dhe 5 Gusht në kufitë e Jugut të R.P. të Shqipërisë të mbështetura nga artileria dhe aviacioni. Më datën 4 Gusht sulmi është kryer në sektorin e Bozhigradit dhe në drejtim të Leskovikut në afërsi të piramidave 11-12-13 dhe 14.

Në sektorin e Bozhigradit, ushtria e Qeverisë s’Athinës sulmoi kuotën 1425 dhe atë 1309. Gjatë luftimeve u rrëzua një avion që mirte pjesë në sulm dhe agresorët u hodhën jashtë kufirit nga forcat shqiptare të reparteve të kufirit. 12 ushtarë grekë mbetën të vrarë në tokën shqiptare.

Në datat 4,5 Gusht ushtria e Qeverisë s’Athinë ka hedhur më se 1500 predha artilerije në tokën Shqiptare. Një pjesë e këtyre kanë rënë në katundin Mangulas, ku u dogjnë 5 shtëpi dhe 5 predha ranë në katundin Bozhigrad.

Në datën 4 Gusht, ora 7.55 një avion grek që fluturonte në katundet shqiptare Hoxhaj dhe Markat, u rrëzua nga forcat shqiptare në fushën e Finiqit afër Sarandës. Piloti u kap i gjallë.

Më datën 3 Gusht në sektorin e Leskovikut janë kapur nga forcat shqiptare të kufirit dy oficerë grekë: nëntogeri Skueras Dhimitrios dhe nëntogeri Trulinos Manolis që të dy efektivë të Bataljonit 627 të Brigadës së 74 të Fanterisë dhe më 5 Gusht në afërsi të piramidës 18 u dorëzuan 5 ushtarë grekë.

Qeveria e R. P. të Shqipërisë e konsideron këtë sulm të përsëritur në shkallë të gjerë nga Ushtria e Qeverisë s’Athinës kundra Republikës Popullore të Shqipërisë, shkelje të hapët të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të kartës së Kombeve të Bashkuara dhe një krim që kërcënon seriozisht paqen. Prandaj edhe njëherë Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë, tërheq vëmendjen e Sekretarit të Përgjithshëm të UNO-s mbi përgjegjësinë e rendë dhe direkte që i bie Qeverisë s’Athinës për këto akte agresive dhe për konsekuencat që rrjedhin.

Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë proteston përsëri në mënyrë energjike për këto shkelje brutale dhe të vazhdueshme të sovranitetit të Shqipërisë që po kryen të përgatitura sistematikisht nga Qeveria e Athinës dhe që kanë për qëllim prishjen e paqes dhe të sigurimit ndërkombëtar.

Pranoni zoti Sekretar i Përgjithshëm sigurimet e konsideratën time më të lartë. /Memorie.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Emigrant: 07/09/2021 17:16

    O kaloq ishte enveri ai qe e donte vendin me gjith shpirt qe e vuri grekun para me gjith ndihmen angleze te monarko fashizteve grek ai prap fitoi luften Dhe ti hale flet me percmin per te vraret shqiptar qe i dolen zot vendit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Alban Daci: Vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe politika si fenomen mosbesimi ndaj proceseve zgjedhore

Alban Daci: Vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe politika si fenomen mosbesimi ndaj proceseve zgjedhore