Një ngjarje e pazakontë është shënuar në Tiranë. Për qytetarët që ishin ulur të konsumonin diçka për të pirë në një lokal në qendër të Tiranës, tek Teatri i Operës dhe Baletit, ishte e pazakontë të shihnin pranë tyre një çakall. 

Menjëherë njoftuan policinë bashkiake për praninë e gjitarit aspak e zakontë për një qytet të zhurmshëm dhe larg zonave të pyllëzuara si Tirana. 

Report Tv siguron videon e momentit kur ekspertët e agjencisë së parqeve dhe rekreacionit përpiqen ta kapin për ta futur në kafaz çakallin i cili qëndron i fshehur mes një peme në vazo. Në momentin kur punonjësi e kap çakalli tenton ta kafshojë.

Gjitari, i cili mendohet të ketë zbritur në qytet natën në kërkim të ushqimit, ishte fshehur dhe kishte gjetur qetësi në një vazo të madhe luleje në lokal. 

Në momentin e parë kur punonjësit tentojnë ta kapin, çakalli bëhet agresiv, ndërsa e gjithë kjo situatë është parë me kureshtje nga klientët e lokalit dhe qytetarët që u afruan për të mos humbur këtë pamje të pazakontë.

Pasi është marrë nga grupi i ekspertëve, kafsha është karantinuar në një kafaz në Kopshtin Zoologjik në Tiranë për të mos rrezikuar nga ndonjë sëmundje mund të ketë. Burimet thonë se do i bëhen kontrollet veterinarie dhe më pas do lëshohet nëse do jetë në gjendje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:30
Tentoi të kafshonte punonjësin pasi u kap në një lokal pranë TKOB, ja si është gjendja e çakallit në kopshtin Zoologjik

 

Çakallit të egër që u kap mëngjesin e sotëm në një lokal pranë Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit tashmë po i bëhen kontrollet veterinare dhe më pas do të lëshohet në gjendje të lirë.

Në pamjet e siguruara, nga kafazi në Kopshtin Zoologjik ku u dërgua, kafsha shihet më e qetë nga sa u pa në mëngjes ku tentoi edhe të kafshonte njërin prej punonjësve të agjensisë së parqeve.