Moderatoren bukuroshe Xhemi Shehu e shohim sot në ekranin e Top-Channel më të rritur, më të sigurt në vete, e tashmë me një program të vetin televiziv. "Dua vendin tim" është formati në të cilin Shehu është duke treguar jo vetëm rritjen e saj profesionale por edhe sharmin e saj femëror. Gjatë këtyre 10 vite ku ka qenë pjesë e Top-Channel, në jetën e prezantueses me sy të çelur kanë ndodhur shumë ndryshime. E qeshur dhe dashamirëse ajo vjen këtë herë në "THASH&THEM" disi më nostalgjike duke kujtuar fillesat e saj në Top-Channel si dhe jetën e re familjare.

Një dekadë në Top-Channel, si ka evoluar Xhemi në këto 10-vjet?

Uroj të jem rritur e pjekur dhe rrjedhimisht përmirësuar. Kam ndryshuar shumë dhe aspak njëkohësisht. Rrallë herë kur më bie të shoh pamje nga arkiva të transmetohen në Top- Channel, vë re ndryshimet fizike, ndërsa dëshira për të qenë pranë publikut mbetet e njëjta.

Cilin format televiziv ku keni qenë pjesë do të veçonit më shumë dhe që ju ka lënë më shumë mbresa?

Të gjitha kanë veçantinë e tyre. Fiksin do ta kujtoj gjithmonë se ishte dalja ime e parë televizive, "Portokallinë" për momentet e bukura gazmore, "Të Diellën" për hapësirat e pafundme dhe rubrikat e larmishme, ku kam testuar veten vazhdimisht e së fundmi "Dua vendin tim" për atmosferën e jashtëzakonshme tipike shqiptare. Realisht nuk di kë të veçoj.

Po nga partnerët tuaj në prezantim me kë jeni ndjerë më komode?


Me të gjithë, në fakt. Mua më pëlqen të kem dikë në krah gjatë prezantimit dhe për mua kanë qenë veçse ndihmë dhe mbështetje.

Ju e keni nisur karrierën tuaj televizive si velinë në emisionin "Fiks Fare". Sa ju merr malli për ato kohë dhe si i shihni velinat që janë sot në atë pozicion?

E kujtoj ndonjëherë atë periudhë, ka qenë një kohë shumë e bukur për aq sa zgjati, por nuk kam as nostalgji, as pengje, kështu që velinat aktuale i shoh krejt natyrshëm, me kënaqësi ashtu siç i shihni dhe ju.

Vazhdoni të ruani shoqërinë me kolegen tuaj të asaj kohe Olën, duke qenë se edhe ajo është pjesë e stafit të Top-Channel?

Po patjetër, madje bashkë kujtojmë shpeshherë ndonjë moment nga kohët e vjetra

Tashmë jeni në një format të ri televiziv. Sa ka përmbushur ai pritshmëritë tuaja?

Shumë mirë, më mirë nga çfarë e prisja në fakt. Shikueshmëria e madhe e programit duket simodos të hënave kur të gjithë flasin për programin dhe për një moderator nuk ka kënaqësi më të madhe se kjo.

Do të jeni pjesë e ndonjë projekti tjetër televiziv në Top-Channel?

Patjetër, por për momentin më duhet të mbaj gjithçka top sekret.(qesh)

E keni menduar ndonjëherë opsionin e ndërrimit të televizionit?

Jo, fatmirësisht ose fatkeqësisht nuk ka asnjë televizion të krahasueshëm me Top-Channel ende.

Çfarë sakrifikon Xhemi për të qenë "me kohë të plotë" në çdo aktivitet dhe angazhim që keni?

Kohën për të ndenjur me tim bir, me bashkëshortin dhe miqtë, por përpiqem ta rikuperoj aq sa mundem.

Të qenit nënë duket se ju ka ndikuar mjaft si në ndryshimin e mënyrës së jetesës ashtu edhe në perceptim. E në fakt sa ju ngjet Martini i vogël?

Martini ka marrë nga të dy, diçka nga unë e diçka nga i ati, di të them që ardhja e tij në jetë më ka bërë pafund të lumtur dhe një njeri më të mirë.

Cilat janë dëshirat e tij të para?

Të rrijë me mua, të thyejë poçat e pemës së Vitit të Ri, të derdhë ushqimet si çdo fëmijë.(qesh)

Sa ju ka lodhur përkujdesja ndaj tij në vitin e parë të lindjes?

Jo shumë, madje i kujtoj me shumë mall e dashuri ditët kur qëndroja pa u shkëputur nga ai për asnjë sekondë.

Sa ju ndihmon bashkëshorti me kujdesin ndaj tij?

Aq sa mundet.

Mendoni të keni fëmijë të tjerë?

Patjetër.

Jeni karakterizuar gjithnjë si një femër me linja mjaft të kuruara. Sa e vështirë ka qenë për ju të riktheheshit në formën tuaj?

E di që ndoshta nuk do të jem e besueshme por pothuajse fare. Gëzoj një metabolizëm të mirë që më lejon të ha çfarë dua fatmirësisht.

Sa kohë i kushtoni kujdesit të pamjes tuaj?

Shumë pak krahasuar me atë që duhet të bëj .

Vlera më e rëndësishme për ju?

Familja ime.

Dëshirat dhe aspiratat për 2013?

Të jem e lumtur.

(xh.k/shqiptarja.com)