PRISHTINË, 25 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Një delegacion i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, përkatësisht Nënkomisioni për Mbrojtjen Transatlantike dhe Bashkëpunim në lëmin e Sigurisë, kryesuar nga Sverre Myrli, kryetar, po qëndron sot në Kosovë, ku u prit nga kryetari i Kuvendit të Republikës, Jakup Krasniqi, e më pas do takojë kryeministrin Hashim Thaçi.
Krasniqi falënderoi delegacionin për këtë vizitë, e një falënderim të veçantë shprehu për bashkëpunimin e deritanishëm të Asamblesë së NATO-s me Kuvendin e Kosovës dhe sidomos për pranimin e Kosovës si vëzhguese në Asamblenë e NATO-s.
Në vijim, Krasniqi i bëri një vështrim situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, në këtë fazë të ndërrimit të institucioneve. Ai përmendi edhe disa vështirësi në pjesën veriore të vendit, megjithëse edhe atje ka progres.
Kosova, tha Krasniqi, po ecën përpara , ajo ka një bashkëpunim mjaft të mirë me faktorin ndërkombëtar, ashtu si edhe me KFOR-in, si prezencë ushtarake e NATO-s në Kosovë. Ai shprehu besimin se ndikimi i Brukselit do të ndikojë në normalizimin e mëtejmë të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë.
Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Hugh Bayley, shprehu kënaqësinë që Kosova ka rolin e vëzhguesit në NATO.
Udhëheqësi i delegacionit, Sverre Myrli, pasi bëri prezantimin e delegacionit, theksoi se ndërmjet Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe Kuvendit të Kosovës ekziston një bashkëpunim shumë i mirë, i cili do të avancohet edhe më në të ardhmen.
Anëtari i Kryesisë, Xhavit Haliti, theksoi se NATO-ja ka bërë një veprim tepër human duke krijuar mundësi që edhe qytetarët e Kosovës të jetojnë në liri bashkërisht me shtetet tjera të Evropës. Ai tha se Kosova po ecën në rrugën e perspektivës, duke e ilustruar këtë edhe me faktin se raportet ndërnacionale janë shumë të mira dhe se të gjithë qytetarët lëvizin lirshëm. Edhe anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, shprehu falënderimin e tij për pranimin e Kosovës si vëzhguese në Asamblenë e NATO, si një mundësi për thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë në Kosovë, në Rajon dhe më gjerë në Evropë. Në vijim ai shprehu vlerësimin se KFOR-i është garantues i paqes në Kosovë. Të gjitha sondazhet, tha ai, tregojnë se qytetarët e vlerësojnë KFOR-in si organizatën më të besueshme./k.s/