Disa ditë pasi u gjobit nga Agjencia Rajonale e Mjedisit Vlorë, Fier Gjirokastër,  për mos menaxhimin e mbetjeve urbane, kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli kërkoi publikisht që organet kompetente të heqin licencën e firmës se pastrimit “Duka”. 

Sipas Kryetarit të Bashkisë, firma e pastrimit ka kohë që nuk e kryen funksionin e saj sipas kontratës. Leli tha ndër të tjera se mbetet në pritje të ndërhyrjes së organeve kompetente, për të ndërhyrë për prishjen e kontratës. 

“Jam i gëzuar të ndaj lajmin se Vlora ka hyrë në një etapë tjetër të pastrimit të qytetit me standarte të larta. Këto kapacitete që do i japin Vlorës një imazh tjetër, në fakt, duhet të kishin qenë funskionale kohë më parë, nëse ndërtimi i landfillit të Sherishtës do të kishte përparuar sipas afateve të përcaktuara. Nga sot, këto mjete do të jenë në shërbim të Vlorës, në shërbim të qytetit, të qytetarëve, të turizmit, të fëmijëve, atyre që e duan Vlorën më të mirë. Meqenëse firma Duka përgjegjëse për pastrimin, se nuk deshi apo nuk mundi, e çoi Vlorën në kolaps, në zemrën e sezonin turistik. Kjo është arsyeja pse ngelem në pritje të ndërhyrjes së organeve që e kanë fuqinë për t’i hequr licencën mjedisore kësaj firme të ushtrimit të veprimtarisë së tyre. Do të përmirësojmë tani e tutje shërbimin e munfuar”, u shpreh Leli.

Kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, prej disa muajsh ka paditur firmën e pastrimit për cilësinë e munguar të shërbimit si dhe përfitim më anë të mashtrimit për sasinë e tonazhit të mbetjeve të administruar prej saj. 

Këto deklarata, Leli i bëri gjatë një takimi me strukturat e bashkisë ku prezantoi flotën e re të mjeteve teknologjike të pastrimit, pjesë e investimit të Landfilldit të Sherishtës.

Kujtojmë se AKM ka gjobitur më 9 gusht kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli, për shkak të mbeturinave të papastruara e menaxhuara në Vlorë, në pikun e sezonit turistik. Rama e ka kritikuar disa herë Lelin, i cili sipas tij ishte "në gjumë letargjik".

Nuk është hera e parë që Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka gjobitur kryebashkiakët e vendit. Më 8 shkurt u gjobit me 500 mijë lekë gjobë kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushin për mos menaxhimin e mbetjeve në terren, të hedhura në mënyrë të jashtëligjshme vend e pa vend.