Në muajin korrik të vitit 2024, banorët e fshatit Romanat, të lagjes së sipërme u ankuan në bashki se familja Kapllani kishte uzurpuar një segment rreth 200 të gjatë dhe 4 të gjerë të rrugës që lidh shtëpitë e tyre me rrugën kryesore. Pra, rreth 200 m2 sipërfaqe duke pretenduar pronësinë mbi të e duke bllokuar qarkullimin e banorëve. Këta të fundit, nga ana e tyre kishin deklaruar se historikisht ajo ka qenë rrugë e fshatit.

Dorian Mema, përgjegjës i IKMT Durrës sqaron se: në këto kushte bashkia kreu analizën e kësaj situate duke kërkuar nga Agjencia Kadastrale të dhëna mbi këtë sipërfaqe toke dhe rezultoi se ajo ishte tokë me pronësi shtetin dhe se ishte uzurpuar nga kjo familje e cila nuk disponon asnjë dokument të pronësisë mbi atë sipërfaqe toke.U ndërhy në verë dhe rruga u hap. Por pas disa javëve ata e bllokuan sërish rrugën.

Në fund të muajit dhjetor 2024, familja në fjalë është njoftuar shkresërisht që deri me datë 6 janar 2025 duhej të hapte rrugën e të largonte mjetet rrethanore me të cilat kishte ngritur një pritë në rrugë.

Sot IKMT shkoi të zbatonte vendimin dhe ndeshi rezistencën e 2 familjarëve. Në mbështetje të IKMT shkuan edhe forca policore dhe oficerë të krimeve të cilët monitoruan situatën nga afër. Nga ana e saj IKMT do të padisë penalisht këte familje për kërcënim të punonjësit shtetëror në kryerjen e detyrës.

Ndërkohë zëdhënësi i bashkisë Durrës Dor Agolli sqaron se bashkia kanë projekt për ndërtimin e një rruge në atë zonë që është një kërkesë e hershme e banorëve.