‘Mokador kafe’, një histori rritjeje, një vizion përtej kufijve. Dy ditë më parë, Kryeministri Edi Rama zgjodhi të vizitojë TSB Group, kompaninë që përfaqëson markën e njohur italiane të kafesë Mokador në Shqipëri dhe një prej kompanive që ka marrë miratimin për t’u mbështetur nga programi “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, duke zhvilluar në mjediset e saj edhe një takim të përbashkët me përfaqësues të bizneseve të tjera shqiptare, ku u diskutua mbi mundësitë e reja të financimit dhe mbështetjes së sipërmarrjes përmes këtij programi.
Në vitin 2016, kompania mori përfaqësimin zyrtar në Shqipëri të markës prestigjioze italiane Mokador, duke nisur një rrugëtim të suksesshëm në industrinë e kafesë.
Falë punës së palodhur, përkushtimit të vazhdueshëm dhe marrëdhënieve të qëndrueshme me klientët dhe partnerët e saj, TSB ka njohur një rritje të vazhdueshme ndër vite. Nga një aktivitet i përqendruar fillimisht në Tiranë, ka arritur të ndërtojë një rrjet të gjerë shpërndarjeje në sektorët HoReCa, B2B dhe B2C, me shtrirje në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe në tregun e Kosovës, ku operon prej shtatë vitesh.
Sot, TSB Group është një kompani me strukturë të konsoliduar, kapacitete operacionale në rritje dhe një rrjet të gjerë klientësh e partnerësh, duke forcuar vazhdimisht praninë e markës Mokador në të dy tregjet.
VIZIONI DHE ZHVILLIMI
Me ambicien për të zgjeruar më tej aktivitetin dhe për të siguruar përfaqësimin e markës Mokador në të gjithë rajonin e Ballkanit, TSB Group ka nisur një fazë të re investimesh strategjike.
Në këtë kuadër, kompania është në fazat fillestare të projektit për ndërtimin e kapanoneve të reja industriale, të cilat do të mundësojnë instalimin e impianteve bashkëkohore të prodhimit dhe ambalazhimit të kafesë.
Faza e parë e investimit parashikon ngritjen e një linje moderne për prodhimin e kafesë me kapsula, me fokus në përdorimin e materialeve 100% të riciklueshme, si dhe të biodegradueshme, të projektuara për të minimizuar ndikimin në mjedis dhe për të përmbushur standardet përkatëse të Bashkimit Europian, duke kontribuar njëkohësisht në mbrojtjen e mjedisit.
Ky investim shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit të teknologjive moderne, rritjes së kapaciteteve prodhuese dhe zhvillimit të një modeli biznesi më inovativ e miqësor me natyrën.
Vizioni i TSB Group, është që të renditet si një kompani lider në industrinë e kafesë në Shqipëri dhe rajon, duke ndërthurur traditën, cilësinë dhe inovacionin me një zhvillim të qëndrueshëm.