Paige Bell, me origjinë nga Johanesburgu dhe e përshkruar nga miqtë si një "vajzë e artë", u gjet e vrarë në jahtin ku punonte.

Ajo ishte një oficere e marrëdhënieve me klientët në bordin e jahtit me qira FarFromIt.

Trupi i saj u gjet i pajetë poshtë kuvertës pasi anija u ankorua në një ishull ekskluziv.

Sipas The Sun, vajza e re u vra nga një mekanik meksikan 39-vjeçar, i cili ishte anëtar i ekuipazhit.

I dyshuari kryesor është arrestuar dhe përballet me akuzën për vrasje.

Autori, i cili kishte lëndime të rënda në të dy kyçet e duarve, u gjet pranë trupit të gruas së re, duke mbajtur një thikë të përgjakur.

Hetuesit besojnë se Paige u sulmua dhe u përpoq të mbrohej, por 39-vjeçari e goditi disa herë me thikë.

Paige u vra vetëm disa ditë para ditëlindjes së saj të 21-të.

Për momentin motivet e krimit mbeten mister.

Jahti luksoz, me vlerë 9.5 milionë paund, u ankorua në ishullin Harbour në Bahamas, i njohur si "vendi i lojërave të miliarderëve".

Familja e pikëlluar dërgoi një mesazh prekës:

"Mami dhe babi po fluturojnë për në Bahamas për të sjellë vajzën e tyre të vogël në shtëpi dhe për të kërkuar drejtësi për përbindëshin që i mori jetën.

Jemi të shkatërruar dhe duhet të përballemi me procedura të kushtueshme ligjore në një vend të huaj.

Kjo humbje prekëse është ndjerë thellë nga të gjithë ata që e njihnin dhe e donin Paige."

Policia po heton si vrasjen ashtu edhe tentativën e supozuar për vetëvrasje nga mekaniku.

Ai do të gjykohet për vrasjen e "Paigey", siç e quanin me dashuri familja e saj.