Një lajm i mirë dhe një i keq për opozitën

Një lajm i mirë dhe një i keq për opozitën
Shpesh herë është dëgjuar të thuhet, se qytetarëve të një shoqërie të lirë u mbetet për detyrë të mbajnë qëndrim kritik për gjithçka që i rrethon. Por, përvojat kanë treguar që edhe kjo nuk mjafton.

Prandaj, nëse ata mendojnë çfarë është e gabuar, atëhere u duhet të veprojnë, duke u bazuar te këto njohuri. “Filozofët – thotë një mendimtar i njohur – nuk bëjnë gjë tjetër veçse e interpretojnë botën në mënyra të ndryshme”. Në kushtet bashkëkohore, këtë rol e marrin përsipër edhe politikanët. Gjithësesi, e rëndësishme është që ndryshimet të mos ndalen dhe të përshkojnë ato që quhen ndonjëherë ‘procese historike’.

Por, në jetën tonë ka pasur më shumë se sa diçka që nuk shkon. Nëse para afro 25 vjetësh, qytetarët e Tiranës u ngritën me thirrjet: “Liri – Demokraci” dhe “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”, faktikisht këto thirrje mbetën si vegime.

Mbetën të tilla ngaqë në piedestal u vendos interesi i ngushtë vetjak, në këmbë brofi makthi për t’u pasuruar me vrik, në skenën e jetës publike gëloi krimi i organizuar dhe korrupsioni galopant, menjëherë u krijua një hendek përherë e më i thellë midis të pasurve dhe të varfërve, një nënshtrim i verbër u vërejt ndaj tregut të lirë dhe paqartësive të tij, çmimet e tyre u njohën fare mirë, por duke anashkaluar vlerat me një konsekuencë të patolerushme.

Dhe, nëse më vonë do të kënaqeshim vetëm me mbledhjen e këtyre copave, për t’i vlerësuar si një e tërë, kjo do të thoshte të binim nga shiu në breshër. Të binim nga shiu në breshër, veç të tjerash, edhe nëse të gjithë politikanët e këtij vendi, pa dallim mes tyre, do të vazhdonin të mbeteshin në stadet e veta fillestare: të pazotë për të parashikuar dhe ndjekur shtegtimin drejt Evropës. Evropës jo si ëndër, por si realitet.

Prandaj, të parat fjalë që artikuloi Komisioneri aktual i BE për Zgjerimin, Johannes Hahn, që kur i shkeli këmba për herë të parë me këtë funksion në Tiranë ishin: Klima politike pozitive është parakusht për Integrimin”. Pikërisht kjo qe edhe një moto e kontakteve të tij individuale me autoritetet kryesore lëtu, kjo ishte edhe filli përshkues i Takimit V të Dialogut të Nivelit të Lartë midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë.

Një takim ky që u zhvillua në Tiranë veçse afro një vit pas Takimit IV të këtij Dialogu, që u realizua në Bruksel dhe që i parapriu brenda një harku kohor dymujor akordimit Shqipërisë të statusit të Shtetit kandidat për në Unionit.

Ndërsa ky i djeshmi, me sa kuptohet, mund t’i paraprijë brenda vitit, çeljes së bisedimeve për anëtarësim në BE. Sigurisht, çeljes së këtyre bisedimeve pasi Qeverisja shqiptare të prezantojë në shtator realizimin e “detyrave të shtëpisë”. Të atyre pesë prioriteteve, ndër të cilat, reforma në drejtësi vlerësohet si kriteri kyç politik për Integrimin reale këtij shteti ballkanik në hapësirat evropiane.

Ato çka reflektohen nga Takimi i djeshëm, ku nuk u lejua që krahu politik i djathtë të vazhdonte atë farsën e tij muzikore të çjerrë, sidoqoftë janë një lajm i mirë për opozitën dhe mbështetësit gjithnjë e saj. Janë një lajm i mirë, përderisa edhe këta janë pjesë e këtij populli, i cili kohët e fundit po e ndjen që ëndra e tij çerekshekullore nuk do të përfundojë pafundësisht në një zhgjëndër.

Pranimi i Shqipërisë në familjen evropiane, me gjendjen që ajo është shfaqur për dy dekada rresht para faktorit ndërkombëtar, sigurisht që ende nuk përbën një të drejtë të këtij vendi, por ky pranim është pa dyshim një qëllim, për realizimin e të cilit do të çmohet gjithashtu merita e të gjitha forcave politike brenda vendit, përkatësisht e atyre të mazhorancës dhe të opozitës.  

Kurse, lajmi i keq për këtë të fundit është se zhvillimet e pritshme po hyjnë në një proces historik të mirëfilltë, gjatë të cilit, nuk do të kenë më terren praktikat regresiste dhe prirjet destabilizuese të saj, për të marrë dhe mbajtur pushtetin me dhunë, duke frymëzuar dhe aktivizuar madje forca kriminale, në dëm të një vendi dhe populli të tërë.

Nuk kanë vend këto praktika, sepse vizionet e këtij procesi, të kuptuara si paraqitje e një gjendjeje të ardhshme mbështeten te një përshkrim dhe analizë e gjendjes së tashme, te përvojat e së shkuarës dhe te pohimet e arsyetuara, te shpresat dhe përfytyrimet se si dhe ku duhet të shkohet.

Në këtë kuptim, një bashkëjetesë domosdoshmërisht funksionale, në rradhë të parë ndërmjet forcave politike, në kuadrin e vlerave evropiane paramendon përafrime dhe vendime të pajtueshme në drejtimet bazë të një shtegtimi të tillë. Dhe, çdo papajtueshmëri në këto drejtime do të duhej të sheshohej konkretisht, duke u orientuat nga rezultatet. Nëse kjo është një dilemë e një pjese të shoqërisë sonë, më së paku ajo nuk do të mund të mbështetej te diktati i pakicës mbi shumicën, siç pretendon dhe vepron aktualisht opozita e sotme.

Përkundrazi, një rrugëdalje (së paku e pjesshme) nga kjo dilemë ofron pikëpamja dhe praktika e ndjekur edhe në vende të tjera të Evropës Juglindore (që sot janë pjesë përbërëse e Bashkimit Evropian), se vlerat e pranueshme ndoshta nga të gjithë kërkojnë peshë të qëndrueshme: njohjen normative, edhe pse kjo hë për hë mund të jetë te ne mbase e kufizuar.   
  
Megjithë këtë papërsosmëri të përkohshme, në bashkëjetesën politike dhe shoqërore diskursi i vlerave evropiane kërkon respekt dhe tolerancë; këto të fundit, nga ana e tyre – interes të përbashkët për rregullat bazë të mirëkuptimit, të konsensusit.

Dhe, sikurse është bërë e qartë, shpesh herë edhe në shtete të Evropës Juglindore që tashmë janë pjesë e Bashkimit Evropian, i aftë për konsensus është ideali liberal i pikëpamjes politike, i cili vendos edhe tolerancë ndaj mendimeve të ndryshme, por jo ndaj veprimeve destabilizuese.

Në të kundërt, kufizimet ndaj hyrjes në diskursin politik refuzohen në mënyrë të prerë. Kush nuk i njeh apo nuk do që t’i pranojë këto principe, vështirë se mund të qëndrojë për shumë kohë brenda procesit politik. Të tjerët, do të kenë më tepër mundësi që të gëzojnë mbështetjen e masës së gjerë të popullit, për të instaluar së bashku edhe këtu avantazhet reale të anëtarësimit të pritshëm, të ardhshëm në Bashkimin Evropian.       
 
Bashkëjetesa
një bashkëjetesë domosdoshmërisht funksionale, në rradhë të parë ndërmjet forcave politike, në kuadrin e vlerave evropiane paramendon përafrime dhe vendime të pajtueshme në drejtimet bazë të një shtegtimi të tillë. Dhe, çdo papajtueshmëri në këto drejtime do të duhej të sheshohej konkretisht, duke u orientuat nga rezultatet


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale