Katër vjet pas sulmit në Kapitolin amerikan në Uashington, presidenti në largim, Joe Biden paralajmëroi se incidentet e asaj kohe nuk duhen harruar.
"Unë nuk mendoj se ne duhet të pretendojmë sikur nuk ka ndodhur," u tha presidenti demokrat gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Sulmi në Kapitol
Më 6 Janar 2021, mbështetësit e republikanit Donald Trump sulmuan Kapitolin për të parandaluar certifikimin e fitores zgjedhore të Joe Biden në parlament. U shkatërruan zyra, deputetë të shumtë u fshehën nga frika për jetën e kërcënuar nga banditë. Si rezultat i trazirave humbën jetën pesë vetë, 140 policë u plagosën.
Biden e quajti këtë "një nga ditët më të vështira në historinë amerikane". "Demokracia jonë fjalë për fjalë u vu në provë. Dhe për fat të mirë demokracia jonë rezistoi."
Biden përhap besim
Presidenti amerikan, Biden foli gjithashtu me anëtarët e sapozgjedhur demokratë të Kongresit në Shtëpinë e Bardhë. Duke iu drejtuar atyre, ai tha: "Tani është detyra juaj të thoni të vërtetën dhe të mbani mend atë që ndodhi. Mos lejoni që 6 Janari të rishkruhet dhe as të fshihet".
Lidhur me rolin e Trump, Biden tha: "Unë mendoj se ajo që ai bëri ishte një kërcënim real për demokracinë", duke shtuar, se "jam i bindur se e kemi lenë pas këtë”.
Donald Trump nxiti mbështetësit e tij gjatë një fjalimi në vitin 2021 duke pretenduar se atij i ishte vjedhur fitorja nga mashtrimi masiv i zgjedhjeve. Menjëherë më pas shpërthyen trazirat. Shumë nga sulmuesit tani janë dënuar - megjithëse Trump ka premtuar falje.
Biden premtoi gjithashtu "tranzicion të qetë" të pushtetit
Në një artikull për Ëashington Post, presidenti amerikan, Joe Biden pa përmendur drejtpërdrejt Trumpin, u ankua për një "përpjekje të pandalshme për të rishkruar apo edhe fshirë historinë e asaj dite". Po bëhet një përpjekje për të "na thënë se nuk e pamë atë që pamë me sytë tanë", shkroi Biden. "Ne nuk mund të lejojmë që e vërteta të humbasë. Në të njëjtën kohë, Biden iu referua përpjekjeve të tij për të siguruar një "tranzicion të qetë". SHBA-të duhet të kthehen në një "transferim normal të pushtetit"./DW