Të huaj që jetojnë prej disa kohësh në Vlorë, por edhe shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, janë bërë bashkë në një aksion për pastrimin e një zone bregdetare pranë Lungomares. Ata kanë dhënë një shembull për të gjithë qytetarët, duke iu bashkuar një nisme thjesht vullnetare për të mbajtur të pastër qytetin, bregdetin dhe detin.
Krenari dhe Rafaela janë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, por gjatë qëndrimit të tyre në Vlorë nuk mund të qëndronin pasivë. Ata iu bashkuan pa hezitim nismës vullnetare për një qytet më të pastër.
Josh, Greg dhe disa amerikanë të tjerë jetojnë prej kohësh në Vlorë. Ata shprehen se e duan shumë këtë vend, një qytet ku natyra ka falur bukuri të shumta. Por sipas tyre, pastërtia është vlera që i jep më shumë rëndësi çdo destinacioni. Ndaj, në mënyrë krejt vullnetare, kanë nisur një aksion pastrimi përgjatë vijës bregdetare.
“Jam Greg nga ShBA. Po jeton prej pak kohësh këtu në Vlorë. Vendi është fantastik dhe më pëlqen shumë. Këtu sot kemi ndërhyrë për të pastruar zonën. Eshtë shumë e rëndësishme që bregdeti të jetë i pastër në një ambient të bukur të qytetit. Jemi krejt rastësisht këtu. Pamë këtë situatë dhe vendosëm të ndërhyjmë për të pastruar”, thotë Greg.
“Jam nga Missouri në SHBA. Kam pak kohë këtu në Vlorë. Këtu jemi rastësisht. Dhe Po pastrojmë vendin këtu. Është një qytet shume i bukur. Ndaj duhet të pastrohet. Ne jemi këtu vullnetarisht për të pastruar”, shton një grua.
Një nismë që tregon se Vlora meriton më shumë vëmendje. Një shembull që vjen nga të huajt, por që përcjell një mesazh të qartë: pastrimi duhet të jetë pjesë e përditshmërisë sonë.
Komente









