Saimir Korreshi nuk e ka lënë vetëm me një shkrim në Facebook alarmin e tij për gjendjen e repartit të oksigjenit në spitalin e Lushnjes. Pas publikimit të dokumenteve ku tregonte për problemet teknike të spitalit që kanë rrezikuar jetën e punonjësve dhe jo vetëm, ai ka reaguar pas përgjigjes zyrtare se gjithçka është në rregull dhe funksionale.
Deputeti i PD ka publikuar shkresën ku tregohet vërejtja ndaj Altin Allës dhe më pas shkarkimi i tij në dhjetor 2024, për t’u riemëruar në shkurt 2025.
“Të kesh dy, një ta çash e një ta mbash! Patronazhisti i spitalit paska reaguar. Ndër të tjera deklaron se reparti i oksigjenit nuk paska përgjegjës në organikë. O gënjeshtar ose në shpërdorim detyre?! O shoku drejtor por me urdhrin tënd ke liruar dhe më pas emëruar përgjegjës një njeri që vetëm për shkak të atyre që publikova unë kishte marrë më herët vërejtje për pushim nga puna. Më poshtë firma vula e patronazhistit drejtor që emëron pikërisht përgjegjës edhe pse se paska në organikë”, shkruan Korreshi në një nga postimet ku sipas shkresës, tregohet se pozicioni është oksigjenist/kaldajist.
Më tej, deputeti ka sfiduar haptazi drejtorin Roland Ziu që të hënën në mëngjes të shkojnë te reparti i oksigjenit për të verifikuar kushtet, edhe në prani të televizioneve. Si afat i ka lënë orën 08:00.
“Drejtuar drejtorit të spitalit ‘Ihsan Çabej’. Të sfidoj të shkojmë të dy nesër në mëngjes tek reparti i oksigjenit në spitalin që ti drejton të marrim dhe televizionet nëse ke kurajo. Nëse ky repart është apo jo për ibret të Zotit. Unë do të shkoj se aty vetëm repart s’mund të quhet. Po pres deri në 08:00”, thotë Korreshi.
Deputeti i PD është treguar i përpiktë. Bashkë me dikë që e shoqëron për të realizuar edhe videot. Në videon e parë të filmuar në pjesën e jashtme të godinës, ai tregon me dorë drejt ca hedhurinave.
“Mirëmëngjesi nga Spitali i Lushnjes për t’ju treguar kushtet e repartit të oksigjenit por edhe të spitalit për të parë standardin e Reformave në Mjekësi dhe për të pritur drejtorin natyrisht”, thotë Korreshi.
Duke ironizuar “standardet teknike” për të cilat shprehej spitali, Korreshi tregon drejt një ËC-je në oborr, ambulancës së vjetër, gropave të mbushura me ujë dhe pusetave të hapura.
“Mirëmëngjes të gjithëve! Këtu jemi te pika e oksigjenit që thoshte brenda kushteve teknike, ja ËC, oturak, çdo gjë brenda kushteve teknike. Tani të presim edhe drejtorin meqë i thamë në orën 8. Vetëm kushte teknike s’janë këto. Ta presim drejtorin se mos vjen. Edhe ambulancën e ka të parkuar drejtori edhe... ta shikojmë njëherë kushtet e spitalit. Godina prapa krahëve të mi është oksigjeni. Presim njëherë se mos vjen deri në orën 8”, thotë Korreshi.
“Standarde uropiane”, ironizon ai sërish në disa video të tjera të godinës me mure të vjetra, korridore të mbushur me ujë, dyert kryesore të shkatërruara dhe gardh rrethues me lidhje të prishura.
Në fund, Korreshi jep goditjen ‘finale’ duke thënë se drejtori nuk është paraqitur deri në orën 08:10, madje kanë mbyllur edhe derën.
“Ora 08:10 dhe ne prisnim drejtorin. E mbyllën fare, ndalohet hyrja. Ne s’po hyjmë. Hajde shikojeni se dhe hekurat janë ngrënë nga standerdet europiane. Dyert i shikoni vetë, është vetëm Europë. Ne jemi dy hapa para Europës, pastaj ju vetë e shikoni dhe gjykoni si është standardi”, përfundon Korreshi.
Sipas njoftimit të publikuar ditën e diel nga spitali, thuhet se kushtet teknike janë të rregutllta, në përputhje me standardet dhe nuk ka pasur një person përgjegjës në organikë.
“Në lidhje me deklaratat publike për sigurinë në repartin e oksigjenit në Spitalin Rajonal Lushnjë, sqarojmë se dokumentacioni i cituar i përket periudhës para 31 dhjetorit 2024.
Reparti i oksigjenit nuk ka të parashikuar një pozicion formal përgjegjësi në organikë; për nevoja organizative është ngarkuar një punonjës teknik me arsim përkatës, në përputhje me praktikat funksionale të institucionit.
Fikëset e zjarrit janë të instaluara dhe funksionale. Bombolat e oksigjenit furnizohen nga operatori kontraktues, i cili mban përgjegjësinë për gjendjen teknike të tyre.
Deri më sot, nuk ka pasur avari teknike apo shpërthime.
Zhvendosja e pavijoneve për shkak të rikonstruksionit është kryer sipas një plani të miratuar, duke respektuar standardet teknike dhe me dijeni të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Drejtoria e Spitalit Rajonal Lushnjë mbetet e angazhuar për sigurinë e pacientëve dhe punonjësve dhe e hapur për çdo verifikim nga autoritetet kompetente”, thuhet në deklaratë.
Komente









