Flamuri shqiptar është ngritur sërish në podiumet e një kompeticioni prestigjioz ndërkombëtar falë suksesit të 15-vjeçarit Loris Qose.
Nxënësi i shkollës 9-vjeçare “7 Marsi” në Cërrik u shpall fitues i medaljes së artë në Finalen e Madhe të International STEM Olympiad për matematikë, të zhvilluar në Romë ku morën pjesë garues nga 56 shtete.
Shkolla 9-vjeçare ‘7 Marsi- nëpërmjet një reagimi në rrjete sociale shprehen krenarë për Loris ndërsa shkruhet se ky rezultat është fryt i një punë të vazhdueshme e përkushtimi.
“Loris Qose na bën sërish krenarë!
Një sukses i jashtëzakonshëm për nxënësin tonë të talentuar, Loris Qose, i cili fitoi Medaljen e Artë në Finalen e Madhe të International STEM Olympiad, një kompeticion prestigjioz me pjesëmarrjen e 56 shteteve nga e gjithë bota.
Me punë, përkushtim dhe sakrifica, Loris arriti të ngrejë sërish flamurin shqiptar në arenën ndërkombëtare, duke dëshmuar se talenti dhe këmbëngulja sjellin rezultate të mëdha.
Ky sukses është fryt i punës së palodhur të Lorisit dhe mbështetjes së vazhdueshme të mësueses së tij, Prof. Flutura Hoxholli, të cilës i shprehim mirënjohje për përkushtimin dhe profesionalizmin.
Urime Loris! Urime Prof. Flutura Hoxholli!
Shkolla “7 Marsi”, Cërrik, ndan me krenari këtë arritje të jashtëzakonshme dhe ju uron suksese të tjera në rrugëtimin tuaj drejt majave të dijes.
Na bëtë sërish krenarë!” thuhet në reagim.
Rezultati i fundit vjen pas një sërë arritjesh të tjera të të riut shqiptar. Në Neo Science Olympiad, të zhvilluar në Orlando të Shteteve të Bashkuara, ai u rendit i pari në Matematikë dhe i treti në Kimi, duke u vlerësuar me medalje ari në Matematikë dhe medalje bronzi në Kimi.
Komente