Pamje të rralla të një Shqipërie të filmuar rreth gjysmë shekulli më parë kanë dalë në dritë, pasi u gjetën, u restauruan dhe u digjitalizuan falë bashkëpunimit mes Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe Universitetit Politeknik të Tiranës.

Xhirimet, të harruara për rreth gjysmë shekulli, tregojnë Sarandën antike, Rivierën shqiptare, teknologjia e rritjes së peshkut, TEC-i i Korçës, flora dhe fauna shqiptare, natyra, shpellat dhe ekspedita të ndryshme. Një pjesë e tyre u shpëtua nga dëmtimet e shkaktuara nga myku, u pastrua fizikisht dhe më pas u digjitalizua në studion e Sektorit Audiovizual të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Në këtë proces kanë punuar Hermelinda Troqe, Erand Meça dhe Hajrije Dedej.

Kjo është vetëm faza e parë e punës me fondin filmik të gjetur. Materialet do të bëhen së shpejti të aksesueshme për publikun, ndërsa më pas do të organizohet edhe një konferencë e përbashkët mes Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.