Një valixhe e lënë në mes të rrugës ka ngritur në këmbë strukturat e policisë së Fierit sot. Uniformat blu fillimisht rrethuan zonën dhe pasi e hapën konstatuan se ajo ishte bosh.
"Në orën 10:30, jemi njoftuar se në lagjen "Apollonia", Fier në anë të rrugës është konstatuar një valixhe e mbyllur. Shërbimet e Policisë kanë vendosur perimetrin e sigurisë në vendngjarje dhe po verifikojnë rastin.Janë njoftuar forcat xheniere për të kryer veprimet e mëtejshme", njoftoi fillimisht policia.
"Në vijim të informacionit paraprak të dhënë për një valixhe që ishte konstatuar në rrugë, nga këqyrja e kamerave dhe verifimeve nga shërbimet e Policisë, rezultoi se valixhja është bosh dhe është harruar nga një punonjëse e pastrimit të rrugëve", bëri me dije më pas.
Kjo është e disata herë që në Tiranë dhe qytete të ndryshme të vendit çanta të tilla të lëna në rrugë alarmojnë policinë.