Një vit pas vdekjes së punonjësit të ujësjellësit në krye të detyrës, familjarët: Duam drejtësi, Voltana si ka sjellë as një tufë lule
Një vit pas vdekjes së tij në krye të detyrës, familjarët e Kletos Çelikut ende kërkojnë drejtësi nga institucionet. Ata fajësojnë kryebashkiaken për mungesën e pajisjeve të sigurisë.
Redaksia 14 Korrik 2018, 12:44 | Përditesimi: 14 Korrik 2018, 16:27
Një vit pas vdekjes së punonjësit të ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Shkodër, Kletos Çeliku, familjarët e tij ende kërkojnë drejtësi. Ata fajësojnë kryetaren e Bashkisë Shkodër, e cila po fsheh faktet e ngjarjes ndërsa thonë se do i drejtohen Vettingut, Arta Markut dhe nëse është nevoja çështjen do ta çojnë deri në Strasburg.
Ka një vit që nipi ynë ka vdekur në krye të detyrës. Këtë po mundohen me humbur fakte dhe të vërtetat sado të përpiqet presidentja e kompnisë me shokët dhe shoqet e veta. As nuk na kanë ardhur me na ngushëlluar. Voltana Ademin do ta quaja thjesht Voltana Ademoviç. Jemi shumë të vendosur do shkojmë në Tiranë, tek Arta Marku edhe në Strasburg. Njerëzit po shkojnë për prona dhe jo më për jetë njerëzish.
I afërm i të ndjerit
Nëna e të ndjerit thotë se djali i tij ka punuar 15 vite i siguruar në ujësjellës dhe ka vdekur në krye të detyrës për mungesë të pajisjeve të sigurisë dhe se Ademi nuk i ka sjellë as edhe një kurorë me lule.
Nuk kam asnjë sqarim, as gjë nuk kam prej Bashkisë. As ma ka dhënë kush të paktën një kurorë. Di vetëm që e kam çuar shëndosh dhe më ka ardhur i vdekur. As nuk më ka thirrur ndokush në gjyq, as në prokurori, di që gjithkush është i lirë ndërsa djali im është i vdekur.
Nëna e të ndjerit
Pas vdekjes së tij një vit më parë, Voltana Ademi, në një postim në faqen e saj zyrtare në Facebook shprehej se Çeliku ra në krye të detyrës duke u shërbyer qytetarëve.
E madhe krenaria për sakrificën që bëre Kletos Çeliku, por më e madhe dhimbja për humbjen tande. Çdo ditë njerëz të thjeshtë si Kletosi fort punojnë një hap larg vdekjes por që për fat të keq vetëm vdekja bëhet arsye që të tjerët të kuptojnë sakrificën që këto heronj bëjnë çdo ditë. Përulemi me dhimbje Kletos Çeliku.
Shkruante një vit më parë Voltana Ademi, kryebashkiake e Shkodrës