TIRANE- Partizani dhe Kukësi do të përballen këtë të dielë në stadiumin kombëtar Air Albania në orën 19:00. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, klubi verilindor ka bërë me dije se ka venë në dispozicion 2 autobusë falas nga Kukësi, për tifozët, të cilët do të udhëtojnë drejt kryeqytetit për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës.
Njoftimi i plote
Skuadrën tonë e pret një ndeshje e madhe në një stadium madhështor, të dielën në orën 19:00. Në “Air Albania” luajmë kundër Partizanit dhe mbështetja e tifozerisë duhet të jetë e madhe, në mënyrë që edhe futbollistët në fushë të mos ndihen vetëm dhe të kenë një motiv më shumë për ta kthyer ndeshjen në festë.
Kështu, duke parë rëndësinë që tifozët kanë, klubi ka vënë në dispozicion të tyre 2 autobusë falas të cilët do të nisen nga qyteti i Kukësit ditën e diel. Të gjithë tifozët të cilët kanë dëshirë të mbështesin skuadrën e tyre, do të kenë mundësi të udhëtojnë falas drejt kryeqytetit. Detajet e udhëtimit do të bëhen të ditura në një njoftim të dytë, ndërkohë që ftojmë sa më shumë tifozë që të afrohen për të mbështetur skuadrën. Të nisim fazën e tretë në mënyrën më të mirë dhe së bashku, të luftojmë për të rikthyer titullin në Kukës.