“Shqipëria ka përmbushur me sukses objektivat e saj thelbësore për të luftuar me zero tolerancë dhe me efikasitetet të lartë krimin e organizuar, trafiqet, krimin ekonomik me të gjitha format e tij. Këto arritje e kanë bërë Shqipërinë një vend të sigurtë, një faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon, e mbi të gjitha kanë bërë që Shqipëria thuajse të zerojë ‘eksportin’ e krimit apo trafiqet drejt vendeve të rajonit apo BE-së. Reformat e thella dhe përmirësimi i kuadrit ligjor, përafrimi maksimal i tij me atë të BE-së, kanë përmirësuar të gjithë treguesit në luftën kundër krimit ekonomik, pastrimit të parave dhe sekuestrimit të aseteve kriminale. Shqipëria i kushton rëndësi të veçantë luftës kundër krimit ekonomik, i cili është krimi më i fuqishëm. Aty krijohen mundësitë që elementët kriminalë apo grupet kriminale të “rehabiltiojnë” përfitimet e tyre nga aktivitet kriminale. Një aspekt, i cili gjeneron mundësitë më të madha edhe për korruptimin e zyrtarëve apo nëpunësve shtetërorë. Vëmendje të veçantë i kemi kushtuar konsolidimit, bashkëpunimit dhe bashkërendimit të brendshëm dhe ndërkombëtar, ku përveç njësive të përbashkëta hetimore Task Force, nënshkrimet e memorandumeve të bashkëpunimit në fusha të ndryshme kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e forcës goditëse dhe efikasitetit te operacioneve. Bashkëpunimi i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë ka qenë po kaq efikas, kryesisht në drejtim të pastrimit të parave, si me vendet fqinje ashtu edhe me SHBA-të”. Por, Ministri Noka nënvizoi se, thelbi i suksesit është te forcimi i bashkëpunimit rajonal në të gjitha aspektet, por edhe hapja e furmit dhe përfshirja në të edhe vendeve të tjera. Në këtë kuadër, z. Noka theksoi se këto hapa të përbashkët do të ndihmonin “jo vetëm në evidentimin e arritjeve të vendeve tona që aspirojnë integrimin e plotë europian dhe atlantik, përmirësimin e imazhit, por mbi të gjitha do të krijonin një terren të përshtatshëm për të ecur të gjithë krah për krah në këtë drejtim”., tha Noka.
Ministri Noka u ndal gjatë fjalës së tij edhe në rëndësinë që kanë takime të tilla për rritjen e efikasitetit në luftën e përbashkët kundër krimit, por shprehu njëkohësisht dëshirën që në të ftohet në të ardhmen edhe Kosova.
“Do të ishte e udhës që të kemi një qëndrim të përbashkët konstruktiv e bashkëpunues lidhur me përfaqësimin e Kosovës në këtë forum, çka do të do të ishte në përputhje edhe me frymën e kërkesat e BE-së për rritjen e bashkëpunimit rajonal. Është fakt i pamohueshëm se projektet e përbashkëta rajonale, nuk mund të diskutohen pa praninë e Kosovës dhe përfshirja sa më parë e saj në takimet e grupeve të punës i shërben si bashkëpunimit rajonal ashtu edhe forcimit të kapaciteteve të Kosovës.”, u shpreh ministri Noka.
(i.m/Gre.M/Shqiptarja.com)