TIRANE - Ministri i Brendshëm, Flamur Noka deklaroi gjatë interpelancës në Komisionin e Integrimit se regjistri kombëtar i gjendjes civile nuk ka pasur asnjë ndërhyrje apo cënim. Përgjigjja e tij erdhi pas shqetësimit të opozitës se po luhet me numrin e popullsisë në qarkun e Kukësit e të Beratit për t’i shtuar të parit një deputet në kurriz të qarkut tjetër. Por sipas ministrit, lëvizjet në popullsi kanë të bëjnë me aktivitetin seksual të burrave kuksianë.

“Përsa i përket çështjes së qarkut kur të më thërrisni përsëri do iu jap informacion më të hollësishëm. Ajo që mund t’ju them me saktësi është se Ministria e Brendshme është absolutisht transparente në çdo proces të punës së saj, 24 orë në 24. Nuk është se ju këtë nuk e dini, kjo iu intereson ta përdorni si lojë politike. Është e drejta juaj, unë nuk kufizoj të drejtën e opozitës për të bërë lojërat e saj politike. Në rast se qarku i Kukësit ka rritje më shumë se qarku i Beratit këtë pyetje duhet të shkojmë t’ua bëjmë burrave të Kukësit se nuk mund të ma bëni mua. Fakti që në Kukës ka burra që shtojnë popullsinë nuk është përgjegjësia ime por nuk është as përgjegjësia e opozitës”, u shpreh Noka.

Ndërkohë që deputeti socialist Taulant Balla ndërhyn duke thënë se “nuk pjellin burrat”, kurse ministri Noka përgjigjet: “Taulant nuk e di andej nga ju por pa burra nuk ka asgjë në këtë dynja. Më tej Noka u shpreh se nuk ka asnjë cenim apo ndërhyrje në regjistrin e gjendjes civile. “Hajdeni kur të doni ta kontrolloni” u shpreh Noka.

Noka mohoi akuzën e opozitës se Shqipëria eksporton kriminalitet. Sipas tij, raportet ndërkombëtare flasin për kriminalitet shqipfolës dhe jo shqiptar. Saktësimi i ministrit solli reagimin e kryetarit të Komisionit, socialistit Ditmir Bushati, i cili tha se nuk është ky mesazhi që duhet dhënë pasi na dëgjojnë armiqtë.

“Mos fillojmë të analizojmë se çfarë ndodh me shqiptarët kudo që ata jetojnë, ku nuk keni përgjegjësi drejtpërdrejt as ju dhe as ne. Besoj se do të ishte më e udhës të ishim shumë më të kujdesshëm në këtë pikë, duke qenë se siç na është shtuar forca në rajon, mund të na jenë shtuar edhe kundërshtarët. Nuk besoj se japim mesazhin e duhur nëse do të flasim për krim shqipfolës, apo sllavfolës”, tha Bushati.

Përsa i përket procesit të liberalizimit të vizave, Noka foli për një histori suksesi. Dakort me ministrin e Brendshëm, deputeti socialist Taulant Balla tha se shqiptarët kanë qenë ndër popujt që kanë respektuar më shumë liberalizimin e vizave dhe propozoi një strategji marketingu në Europë për këtë.

“Shqipëria është ndër vendet e Ballkanit që ka respektuar më shumë liberalizimin e vizave. Për ne kjo është një histori suksesi. Mbi 1 milion e 850 mijë shqiptarë kanë përdorur pasaportat biometrike që nga liberalizimi i vizave. Shembulli i ripranimit të 51 shqiptarëve që kishin kërkuar azil në Belgjikë tregon vullnetin e qeverisë shqiptare për të zeruar këtë fenomen shqetësues”, deklaroi ministri i Brendshëm.

Redaksia online
(Im/eç/shqiptarja.com)