- Ministri i FSK-së, Haki Demolli priti ambasadorin e Norvegjisë, Jan Braathu-
PRISHTINË, 29 Janar /ATSH/.- Ministri i FSK-së, Haki Demolli, priti sot ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu.
Ai shprehu mirënjohjen për kontributin që Norvegjia ka dhënë dhe po jep në Kosovë përmes prezencës ushtarake në KFOR, bashkëpunimit në mes të dy ministrive dhe me mbështetjen e shumë projekteve që janë donacion i shtetit norvegjez.
Projekt konkret i Ministrisë së Mbrojtjes të Norvegjisë që pritet të realizohet është për ngritjen e integritetit dhe mbështetjen e kapaciteteve të personelit në Ministrinë e FSK-së.
Po ashtu, ministri Demolli njoftoi ambasadorin Braathu edhe me zhvillimet e procedurave për transformimin e FSK-së në FAK, për bashkëpunimin e ngushtë që po zhvillon MFSK me NATO-n dhe shtetet e rajonit.
Nga ana e tij, ambasadori Braathu premtoi angazhimin konkret në thellimin e bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy ministrive, duke ndërmarrë veprimet edhe për përgatitjen e procedurave për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy ministrive./b.j//m.m/