Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi këtë të martë në Romë një takim me homologun italian, Guido Crosetto, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Gjatë bisedës, dy ministrat diskutuan për rritjen e ndërveprueshmërisë së Forcave të Armatosura, si edhe për mundësi të reja bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes.
Nufi e cilësoi Italinë një partner strategjik të Shqipërisë dhe një aleat të rëndësishëm në NATO, duke vlerësuar bashkëpunimin mes dy vendeve për përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.
Gjatë bisedës, u rikonfirmua vizioni i përbashkët i Shqipërisë dhe Italisë për një rajon më të sigurt dhe një Evropë më të fortë. Në këtë kuadër, të dy ministrat riafirmuan angazhimin për ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, mbështetjen e misioneve ndërkombëtare në shërbim të paqes dhe sigurisë, si edhe forcimin e rolit të NATO-s përballë sfidave të reja të sigurisë.











Komente
Komento