Takimi i Ervin Salianjit me demokratët në Fier është pasuar nga një sulm prej kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berishës. Ky i fundit bëri thirrje në Foltoren me degët 1 dhe 3 për afrimin e qytetarëve idealistë.

“Asnjë keqardhje për ata që bëjnë sikur janë me ne, dhe në fakt punojnë për Edi Ramën. Nuk na duhen gjë ata ne. Nuk kemi lidhje me ta ne”, tha Berisha, duke përsëritur retorikën e tij.

Megjithatë, Salianji duket se nuk e ka prishur gjakun dhe ka vijuar me qëndrimin e tij. Në një postim të ndarë në rrjetet sociale nga takimi i sotëm, shkruan se “duam një PD që të mos jetë qaramane sa herë humb zgjedhjet”. Berisha ia atribuon përherë humbjet e tij qeverisë Rama.

“Anëtarët përcaktojnë lidershipin, vota e përcakton lidershipin. Angazhimi dhe kontributi e përcakton lidershipin. Ne duam një PD që të jetë fituese, që të jetë e besueshme për qytetarët, që të mos jetë qaramane sa herë humb zgjedhjet”, u shpreh Salianji gjatë takimit.