GJIROKASTËR- Policia e Gjirokastër "goditi" një tjetër rast të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Shërbimet e Policisë Rrugore i kanë bërë shenjë ndalimi R. B., i cili po drejtonte automjetin tip "Mercedez Benz", në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur "Ura e Lumit", por ai nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë Rrugore për të ndaluar mjetin, të cilin e ka braktisur në vendin e quajtur "Virua".
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi R. B. po transportonte 9 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.
Nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër u shpall në kërkim drejtuesi i mjetit, shtetasi R. B., 36 vjeç, banues në Dibër.
Materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë" dhe "Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit".