Nuk gjeni dot një shok?
Kompania kineze e robotikës UBTech Robotics thotë se mund ta blini një të tillë për 25,000 dollarë. Kjo mund të jetë një zgjidhje për ata që nuk dinë si ta përballojnë vetminë ose që kanë nevojë për kujdes nga dikush tjetër.
Së fundmi, kompania ka prezantuar një robot humanoid, U1, që i ngjan një njeriu të vërtetë, me lëkurë, flokë dhe thonj. Roboti është i pajisur me kamera në vend të syve, sensorë në kraharor dhe mikrofonë për të dëgjuar. Të gjithë këta komponentë përdoren për ta bërë atë sa më të ngjashëm me një njeri.
“Ai nuk do t'ju tradhtojë kurrë, do të jetë gjithmonë besnik ndaj jush dhe do t'ju dojë pa kushte”, thotë kompania.
Çmimi i robotit është rreth 17,600 dollarë për modelin U1 Lite me gjysmë trupi, ndërsa modeli U1 Pro me trup të plotë kushton rreth 25,000 dollarë. Modeli tjetër, U1 Ultra, është edhe më i shtrenjtë: versioni mashkull kushton 146,000 dollarë, ndërsa versioni femër 130,000 dollarë.
Ajo që i dallon nga robotët e tjerë humanoidë është se reagojnë shumë më shpejt dhe më natyrshëm, falë faktit që janë të pajisur me inteligjencë artificiale (AI). Kjo i mundëson robotit të kuptojë kur përdoruesi është i stresuar ose i lodhur dhe ta qetësojë duke biseduar me të. Humanoidi U1 me gjysmë trupi mund të lëvizë kokën, sytë dhe gojën, dhe mund të funksionojë deri në katër orë përpara se të ketë nevojë të rikarikojë baterinë. Humanoidi përdoret kryesisht për ndërveprime verbale, pasi nuk mund të ndihmojë me gatimin, pastrimin ose detyra të ngjashme. Robotët mund të personalizohen gjithashtu sipas dëshirës së klientit, qoftë për t’i ngjarë një personazhi të famshëm apo dikujt të afërt.
Sipas gazetës The Straits Times, humanoidi është krijuar për njerëzit që jetojnë vetëm ose janë 60 vjeç e lart. Sipas Michael Tam, drejtues i markës UËorld të UBTech, njerëzit që bëjnë pjesë në këto kategori kanë një nevojë të madhe për shoqëri. Pavarësisht çmimit të lartë, kompania ka bërë të ditur se ka marrë më shumë se 13,300 porosi paraprake për robotët, ndërsa dërgesat pritet të nisin këtë shtator.
Komente





