PRISHTINE, 13 Shkurt/ATSH/- Drejtoresha e Shëndetësisë në Mitrovicë, Nexharije Islami- Pllana, ka bërë të ditur se gjendja epidemiologjike në komunën e Mitrovicës është relativisht stabël dhe nuk ka asnjë rast të dyshimtë të sëmundjes ngjitëse të tularemisë, ndonëse për shkak të pranisë së saj në komunat fqinje nga personeli shëndetësorë kërkohet ndërmarrje e masave dhe veprime efikase.
Sipas të dhënave nga Qendra Rajonale e Shërbimit Publik në Mitrovicë, gjatë muajit janar janë raportuar 47 raste të dyshimta të Tularemisë, disa prej të cilave të konfirmuara, përkatësisht 43 raste nga komuna e Vushtrrisë dhe 4 raste nga komuna e Skenderajt.
"Përkundër situatës së përgjithshme, në komunën tonë nuk kemi asnjë rast të dyshimtë të tularemisë. Personeli mjekësor, por edhe qytetarët, duhet të kushtojnë kujdes ruajtjes dhe mos ekspozimit të rrezikut nga kjo sëmundje, qoftë përmes kujdesit ndaj kushteve ku jetojnë, po ashtu edhe ushqimeve që konsumohen", ka thënë Pllana. /kosovapress/ /a.g/










