'Nuk keni parë gjë akoma', kryeministri Johnson nis detyrën me shprehjen e Ramës
Pavarësisht se edhe problemet e tjera mbeten tepër të rëndësishme, çështja Brexit mbizotëron në prioritetet e qeverisë së re britanike. Londra kërkon të sigurohet që shkëputja nga Brukseli të ndodhë realisht dhe sa më shpejt të jetë e mundur.
Kryeministri britanik Boris Johnson
Redaksia17 Dhjetor 2019, 21:03 | Përditesimi: 17 Dhjetor 2019, 21:11
Kryeministri britanik Boris Johnson, mbledhjen e parë të ekzekutivit e ka nisur me thënien e kryeministrit Rama: “Nuk keni parë gjë akoma!”
Kjo shprehje u bë virale gjatë protestës së studentëve të vitit të kaluar, ku ata e shpalosnin nëpërmjet pankartave të shumta.
“Duhet të shlyejmë besimin e qytetarëve dhe të punojmë 24 orë në ditë, të punojmë pa pushim për të përmbushur premtimet. Sigurisht në 100 ditët e para apo 140 sa ishin, patëm shumë punë, por miq, nuk keni parë gjë akoma. Ne do të punojmë edhe më fort sepse qytetarët kanë pritshmëritë më të larta dhe ne duhet t’i përmbushim”, ka thënë ai gjatë mbledhjes.
Pavarësisht se edhe problemet e tjera mbeten tepër të rëndësishme, çështja Brexit mbizotëron në prioritetet e qeverisë së re britanike.
Londra kërkon të sigurohet që shkëputja nga Brukseli të ndodhë realisht dhe sa më shpejt të jetë e mundur.
Periudha e transicionit post-Brexit, duhet të përmbyllet në dhjetor të 2020, por që me kushtet aktuale mund të shtyhet deri në dy vite të tjera nga një dakortësi e përbashkët.
Kritikët shprehen skeptikë për normën e re, pasi rrit shanset e largimit nga BE pa një ujdi tregtare. Votimi për marrëveshjen për Brexit në parlamentin britanik do të mbahet gjatë kësaj jave.