Partizani nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 me Laçin në javën e 31 të Superligës duke lënë të hapura llogaritë për titullin. Në “Selman Stërmasi” u zhvillua një ndeshje tepër e dyluftuar ku nuk munguan as tensionet mes lojatarëve, por edhe protestat e shumta ndaj arbitrit.
Të parët që do të kalonin në avantazh në kryeqytet ishin miqtë nga Laçi, të cilët falë Shtubinës kthyen në gol një penallti. Nga ky moment kurbinasit lejuan të kuqtë të kontrrolinin lojën dhe tentuan t’i kapnin në kundërsulm, por në asnjë rast nuk e finalizuan me sukses.
Ndërkohë këmbënguljet e shumta të Partizanit do të shpërbleheshin në minutën e 82, me Telushin që ekzekutoi me ‘penanka’ një penallti të fituar nga Çinari. Një gol për vlonjatin që vjen pasi u fut si zëvendësues për shkak të kohës së gjatë që ndejti jashtë fushe si pasojë e dëmtimit.
Në fund pavarësisht përpjekjeve skuadrat ndajnë nga një pikë, me Partizanin që udhëheq me +11 ndaj Kukësit të vendit të dytë që këtë javë luan kundër Teutës.