LUSHNJË- Eksportuesit e perimeve nga Lushnja dhe Divjaka po përballen me një rritje të ndjeshme të kostove për shkak të bllokimit të rrugës së Librazhdit që të çon në doganën e Qafë Thanës, duke e bërë më të vështirë transportin e prodhimeve drejt tregjeve të huaja.
Në kushte normale, shumica e prodhimeve dërgoheshin drejt Maqedonisë së Veriut dhe më pas në vendet e Bashkimit Evropian. Tashmë, eksportuesit janë të detyruar të përdorin rrugë alternative përmes doganës së Morinës në Kosovë, një itinerar që shton ndjeshëm kohën e dorezimit te porosive dhe koston për transportin.
“Ne po vazhdojmë të marrim prodhimet e fermerëve, por kjo na sjell kosto shtesë. Nuk mund t’i lëmë prodhimet në parcela,” thotë Romario Laraku, administrator i Gazmir Kavaja Eksport.
Mariglen Tabaku, administrator i Divjaka Eksport, konfirmon se çdo ditë përballen me shpenzime më të larta. “Nëse nuk punojmë ne, fermerët mund të humbasin prodhimin e stinës”, tha ai.
Eksportuesit thonë se sfida kryesore mbetet menaxhimi i kostove shtesë, ndërkohë që përpiqen të përmbushin kontratat me tregjet e jashtme pa ndërprerë aktivitetin.
Sipas të dhënave te INSTAT, Shqipëria eksportoi nje vit me pare, 174 mijë ton zarzavate me vlerë 141 milionë euro dhe 139 mijë ton fruta me vlerë 67 milionë euro, ndërsa importet po rriten, duke reflektuar presionin e tregut dhe vështirësitë qe has sektori i bujqesise ne vendin tonë.
Komente










