Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, deklaroi para vazhdimit të seancës konstituive se nuk pajtohet me interpretimet se ka përfunduar afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit.

Ajo tha se edhe vitin e kaluar Kuvendi nuk ishte konstituuar brenda 30 ditëve dhe se deputetëve duhet t’u jepet mundësia të bëjnë përpjekje maksimale për ta konstituuar atë.

Haxhiu hodhi poshtë mundësinë e zgjedhjeve të reja, duke thënë se qytetarët nuk kanë votuar për një proces të tillë.

“Në rrethanat aktuale, ju e dini që në momentin që të konstituohet Kuvendi, vlen afati pastaj për zgjedhjen e presidentit prej 60 ditëve. Duket që ka një përpjekje, që unë s’po e kuptoj, që vendi të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme, por e kanë gabim. Kushdo që përpiqet që përmes veprimeve të tilla ta çojë vendin në zgjedhje, mendoj që ka shumë gabim, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës na kanë votuar për të kontribuuar për marrëveshje... Nuk na duhen zgjedhjet”, tha Haxhiu.

Ajo u bëri thirrje partive politike të marrin pjesë në seancë dhe të negociojnë për një marrëveshje, duke theksuar se Vetëvendosje ka ftuar vazhdimisht opozitën në takime.

Lidhur me pretendimet se seanca është antikushtetuese, Haxhiu tha se kushdo që e kundërshton mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Kushdo që ka probleme me seancën e sotme, unë e ftoj që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese... Në qoftë se nuk pajtohen me thirrjen e kësaj seance, e kanë mundësinë që ta dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi ajo.

Haxhiu tha gjithashtu se opozita nuk ka dorëzuar zyrtarisht 40 nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e seancës, duke theksuar se vetëm njoftimi nuk mjafton dhe se nënshkrimet duhej të ishin protokolluar.


Lajmi kryesor:

Kosovë/ Tensione në Kuvend, deputetja e opozitës qëllon Kurtin me vezë! Shtyhet seanca konstituive, kryeministri kërkon kohë për marrëveshje (VIDEO)