Fatmir Mediu i është shmangur gjyqit për Gërdecin. Ai dërgoi avokatët e vet në seancë, për t’iu thënë gjyqtarëve se ndodhet në SHBA për disa ekzaminime mjekësore.
Ndërkohë që në mëngjes thoshte se ishte sëmurë nëpërmjet avokatëve të tij, në darkë u shfaq tek televizioni i familjes Berisha, ku tha se në SHBA, në fakt ka shkuar për të marrë pjesë në inagurimin e Donald Trump si president, si dhe për të takuar senatorë e kongresmenë të ndryshëm.
“Unë isha në Uashington në inaugurimin e presidentit Trump me ftesë dhe kam shfrytëzuar kohën për të folur me personalitete të larta të administratës të SHBA, të zgjedhur nga presidenti Trump, por edhe përfaqësues të Senatit dhe Kongresit, në mënyrë të veçantë për situatën që ka Shqipëria.
Bisedimet kanë qenë shumë formale kohë më parë, dhe dua të sjell në kujtesën tuaj, rezoluta e IDU-së, në të cilën bën pjesë PR, PD, por dhe Partia Republikane amerikane dhe partitë konservatore evropiane apo dhe vendeve të tjera.
Aty është theksuar se Shqipëria nuk ka më rend kushtetues, është kthyer në një republikë kryeministrore. Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë probleme jashtëzakonisht të rënda në Shqipëri, nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe gjyqësori përdoret kundër opozitës, si një armë politike me qëllim për të shkatërruar politikën.
Në vazhdim të këtyre, ne kemi patur kontakte edhe me përfaqësues të Senatit dhe Kongresit. Do të vazhdojmë sepse unë mendoj se Senati dhe Kongresi kanë ngritur prej kohësh shqetësimet në raport me Shqipërinë. Në vitin 2016, 6 senatorë i kanë shkruajtur senatorit se Reforma në Drejtësi po shkon në drejtim të gabuar.
Po ashtu, ka patur qëndrime edhe të njerëzve që qëndrojnë lartë në administratën amerikane, që kanë kërkuar raporte nga DASH, për shkak të sanksionimit të bërë ndaj zotit Berisha dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje zyrtare në raport me faktet.
Po ashtu, në takimin që unë pata me zotin Grenell, u ngrit çështja jo vetëm për sanksionimin e zotit Berisha por dhe të tjerë dhe ideja e tij është që patjetër duhet të paraqiten dhe të shikojnë faktet rreth këtyre sanksionimeve.
Unë mendoj që çdo politikan shqiptar duhet ta shikojë sanksionimin e zotit Berisha si një problem të historisë sonë kombëtare.
Cenimi i sigurisë së një vendi varet nga ajo që quhet, zbatimi i Kushtetutës, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, liritë e qytetarit për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe pikërisht, stabiliteti i Shqipërisë edhe sot në pikën më të errët i cili ndikon pikërisht në atë që quhet stabiliteti i rajonit. Sepse ato që ndodhin në Shqipëri reflektojnë në rajon. Trafiku i drogës dhe korrupsioni krijon efektet e veta”, tha Mediu duke gënjyer dy herë publikisht.
E para, që ka shkuar në SHBA se është sëmurë. E dyta, që ka pasur ftesë për ceremoninë e inagurimit të Donald Trump, pasi në fakt, siç e deklaroi dhe vetë disa ditë më parë, ai nuk kishte gjetur dot ftesë për inagurimin e Trump si president dhe e kishte qendruar për orë të tëra jashtë ndërtesës ku bëhej inagurimi i presidentit amerikan.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur.
Gjyqi ndaj Fatmir Mediut vijon prej prillit 2023. Sipas SPAK, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar 2 kompanitë, 'SAC' dhe 'Albademil'. Për këtë çështje ai akuzohet për “shpërdorim detyre” referuar Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.