Nuk zbatoi urdhrin, Kërtusha:
Të shkarkohet drejtori i SHKP

Nuk zbatoi urdhrin, Kërtusha:<br />Të shkarkohet drejtori i SHKP
Ministrja teknike e Mirëqenies Sociale Xhulieta Kërtusha ka kërkuar nga DAP nisjen e procedurave për largimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Artur Mickaj.
 
Sipas vendimit, Artur Mickaj nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e aktivizimit të vartësve të tij në fushatën zgjedhore të një subjekti politik në kundërshtim me ligjet në fuqi, duke kryer një shkelje shumë të rëndë.
 
Gjithashtu, në njoftimin e MMSR thuhet se pavarësisht se i është propozuar largimi nga puna i Marisa Kaçorit, Drejtore e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Tiranë për shkak se për këtë të fundit ka patur prova që vërtetonin pjesëmarrjen në fushatë zgjedhore brenda orarit të punës, Mickaj nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, duke refuzuar të zbatojë propozimin e Xhulieta Kërtushës.
 
Në datë 2 qershor, ministrja teknike e propozuar nga PD, i propozoi drejtorit Mickaj shkarkimin e Marisa Kaçorit nga posti i Drejtoreshës së Shërbimit Kombëtar të Punësimit Tiranë me motivacionin se ka marrë pjesë në fushatën elektorale të Partisë Socialiste, por kërkesa është refuzuar që të zbatohet duke sjellë edhe nisjen e procedurave për shkarkimin e Mickajt.

Deklarata e plotë
Nisja e proçedurave për largimin nga shërbimi civil i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Kombëtar të Punësimit
 
Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Xhulieta Kërtusha, i ka kërkuar sot Departamentit të Administratës Publike nisjen, në mënyrë të menjëhershme, të proçedurave për largimin nga shërbimi civil të Artur Mickajt, me funksion Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, institucion në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për shkak të shkeljeve shumë të rënda të kryera me dashje siç është parashikuar nga neni 57 pika 2 i ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”.
 
Artur Mickaj, në kundërshtim të plotë me VKM nr. 473 datë 01.06.2017, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e aktivizimit të vartësve të tij në fushatën zgjedhore të një subjekti politik në kundërshtim me ligjet në fuqi, duke kryer një shkelje shumë të rëndë.
 
Megjithëse nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë i është propozuar marrja e masës “Largim nga Puna” ndaj znj. Marisa Kaçori, Drejtore e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Tiranë, për shkak se për këtë të fundit ka patur prova që vërtetonin pjesëmarrjen në fushatë zgjedhore brenda orarit të punës, Z. Mickaj nuk ka ndërrmarrë asnjë veprim, duke refuzuar të zbatojë porpozimin e Ministres së MMSR-së.
 
Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë shpreh vendosmërinë që të ndjekë me prioritet të gjitha detyrimet që ka në kuadër të parandalimit të pjesëmarrjes së administratës së në fushatën zgjedhore.
 
Nisur kjo, MMSR i kujton të gjithë titullarëve të institucioneve në varësi rëndësinë e zbatimit të kuadrit ligjor për të mos lejuar punonjësit e administratës publike që të bëhen pjesë e fushatës zgjedhore, brenda orarit zyrtar të punës.
 
Ç’do mosveprim apo refuzim për të zbatuar ligjin, vendimin e Këshillit të Ministrave dhe urdhërat e Ministres së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, nga ana e drejtuesve të institucioneve në varësi, do të përbëjë arsye të mjaftueshme për të ndërmarrë të gjitha hapat ligjore  ndaj tyre.
 



dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm