Në edicionin e saj të katërt, Maratona e Tiranës erdhi me një hapësirë speciale për të rinjtë e qytetit me kategorinë “Fun Run”. Qindra nxënës të shkollave 9-vjeçare të Tiranës vrapuan në Bulevardin kryesor të qytetit, duke i paraprirë Maratonës që zhvillohet nesër në orën 9.00. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ndau çmimet për fituesit e kësaj gare, Zhuljeta Çejku dhe Edi Devole, ndërsa u kërkoi të rinjve që të kontribuojnë për mbarëvajtjen e aktivitetit më të madh sportiv të zhvilluar në Shqipëri.
“Dua shumë që Tirana të jetë nesër një kartolinë e një Shqipërie europiane, e një Shqipërie të pastër, me njerëz të sjellshëm, mikpritëse, e një Tirane që është e hapur për të gjithë turistët, duke qenë se do të kemi garues nga mbi 45 shtete të botës. Dua që të na ndihmoni duke shpërndarë ujin, të ndihmoni turistët e huaj për t’i treguar ku janë destinacionet në Tiranë, të ndihmoni dikë që do kalojë fundjavën në Tiranë, duke i dhënë ide sesi mund të shpenzojë sa më shumë kohë, por edhe të vizitojë sa më shumë gjëra”, tha Veliaj.
Pasi tërhoqi edhe numrin e tij personal për garën e nesërme, kryebashkiaku ftoi qytetarët që të vrapojnë për një kauzë të rëndësishme për shoqërinë. “Nesër vrapojmë për një kauzë. Kam parë njerëz që kanë kauza nga më të ndryshmet. Disa do vrapojnë për të mbjellë më shumë pemë, disa do vrapojnë për speciet në zhdukje, disa të tjerë do të vrapojnë për ekologjinë e për më shumë pastrim, disa të tjerë do të vrapojnë për të ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë me sindromën down apo të spektrit autik”, tha Veliaj, ndërsa shtoi se ai personalisht ka zgjedhur si kauzë ndihmën për rindërtimin e të gjitha shtëpive të dëmtuara nga tërmeti.
“Unë do të vrapoj për të ndihmuar në rindërtimin e gjitha shtëpive që u prishën nga tërmeti në zonat e fshatit. Kemi shumë raste në Krrabë, në Petrelë, në Vaqarr, në Farkë, në Kashar, në Ndroq, në Pezë, që kanë nevojë për ndihmën tonë. Unë e di që jo të gjithë jeni ndërtues, jo të gjithë jeni muratorë, jo të gjithë dini të punoni me tulla dhe me llaç, po secili prej jush, nëse ka një shok ose një shoqe klase, që vjen nga një komunitet, ose që i është dëmtuar shtëpia e vet, do të doja shumë që edhe ju të jepni një ndihmë; mund t’i ndihmoni me rroba, me ushqime, me lodra, me batanije. Jam i bindur se kur Tirana mobilizohet si sot, të gjithë ia dalim. Siç rrëzohemi kur bie tërmeti, ashtu edhe ngrihemi në këmbë me kauza të tilla fantastike”, tha ai.
“Sot kemi thyer një rekord: Ishte hera e parë që çdo shkollë e Tiranë, jo vetëm e Tiranës qytet, por edhe Tiranës fshat, ka dalë për vrap, dhe jo për një vrap ku detyrimisht synojmë vetëm medalje, çmime apo certifikata, por mbi të gjitha synojmë një qytet me jetë të shëndetshme, ku ne ecim, ku vrapojmë, ku kemi një stil jetese që përputhet me ëndrrat tona dhe me vizionin për të pasur qytetin më të shëndetshëm, më sportiv, edhe më të mirë, edhe më të bukur në Shqipëri”, deklaroi Veliaj.
Kjo garë, e cila filloi në sheshin "Nënë Tereza", përshkoi një segment me gjatësi simbolike prej 2 km, i cili përfundoi në sheshin "Skënderbej". Për fituesit e tre vendeve të para femër dhe mashkull kishte edhe një shpërblim simbolik, por më shumë se kaq, kjo garë është vlerësuar edhe si një mënyrë e mirë për t’i nxitur të rinjtë të angazhohen me sport dhe të fillojnë të përgatiten për të konkurruar pas disa vitesh në Maratonën e Tiranës.