Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka marrë një letër të pazakontë nga kolektivi i mësuesve dhe nxënësve të fshatit Morinë të Bashkisë Kukës. Pasi ata vlerësojnë punën që kryebashkiaku ka bërë në Tiranë, shpjegojnë situatën e mjeruar në të cilën ndodhet shkolla në të cilën presupozohet të jepet dhe merret dija. Të gjitha përpjekjet e këtyre njerëzve për të pasur një shkollë më të denjë nuk kanë marrë përgjigjen e merituar, ndaj ata i luten Veliajt t’i marrë nën juridiksionin e tij.
 
Ja letra e plotë:
Drejtuar: Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z.Erion Veliaj

“Jemi një kolektiv i vogël mësues-nxënës në fshatin Morinë të Bashkisë Kukës, pikërisht aty ku bëhet prezantimi i parë i vendit tonë me Kosovën dhe me rajonin. Po bëjmë përpjekje të mira për rritjen e cilësisë së punës mësimore dhe edukative dhe nxënësit. Kemi parë e dëgjuar për ndryshimet e thella e impresionuese që keni bërë e po bëni për ditë në Bashkinë tuaj, të cilat janë tepër inkurajuese gjatë këtij viti të qeverisjes suaj. Ndaj ju përshëndesim dhe ju urojmë suksese të tjera.

Ndërsa tek ne ndodh e kundërta. Kemi një objekt shkollor shkollor të amortizuar skajshëm, me tavolina, stola e karrike të vjetruara, për të cilat na vjen turp të përdoren nga nxënësit dhe mësuesit. Mungojnë gjërat elementare për zhvillimin normal të mësimit, gjë që ndikon negativisht në edukimin e nxënësve.

Kemi bërë përpjekje me banorët e fshatit dhe me disa firma ndërtimi, kemi kërkuar ndihmën e institucioneve, por nuk na është ofruar ndihma e nevojshme.

Ju lutemi, konsiderojeni shkollën tonë si pjesë e juridiksionit tuaj!

Besojmë shumë tek ndihma juaj.

Ju urojmë suksese!

Për kolektivin mësues-nxënës të shkollës 9-vjeçare Morinë, Kukës“

letra
 



Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com