DURRES- Në skenën e Qendrës Kulturore këtë herë nuk u ngjiten aktorët profesionistë por nxënësit që provuan emocionet e para të interpretimit. Regjisori Elios Ibro e përshkruan punën me të rinjtë si një sfidë, por mbi të gjitha si një investim për të ardhmen e artit në qytet:
“Më besoni, kur punon me të rinjtë ke mundësi të eksperimentosh, të krijosh një qasje të re dhe ata bashkëveprojnë të gjithë në një projekt kaq të bukur.”
Edhe për aktorët e rinj amatorë, skena është një botë e re, ku emocionet përzihen me përgjegjësinë e interpretimit para publikut.
“Realisht, kjo ishte shfaqja jonë e parë teatrale për grupin. Ishte një eksperiencë fantastike dhe nëse do kishim mundësi ta bënim më shpesh, do të ishim shumë të lumtur,” tha Alfrida Fasliu, nxënëse.
Alketa Tragaj, drejtore e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, thekson se projekti ka për qëllim të zbulojë talentet e reja në Durrës:
“Shfaqja vjen pas një pune të gjatë me këta fëmijë. Ata punojnë me profesionistë të qendrës kulturore dhe synimi ynë është për të sjellë gjeneratën e re të artistëve në qytet.”
7 gjimnaze të qytetit janë bërë pjesë e kësaj gare, e cila do të kulmojë më 2 prill, me shpalljen e shkollës fituese, në ditëlindjen e aktorit të madh Aleksandër Moisiu.
Komente











