TIRANE- Një lajm i mirë për banorët e Tiranës. Motin e keq, me shira dhe temperatura të ulëta që na ka shoqëruar gjatë këtyre ditëve në fundjavë do ta shoqërojë një tjetër panoramë.
Duke nisur që nga e premtja dhe në vijim deri të dielën në darkë, moti do ndryshojë, temperaturat do riten me 3-4 gradë celcius, shirat do pushojnë dhe koha me diell krijon mundësi për të kaluar bukur fundjavën pas një jave te lodhshme pune .
Por dielli si me porosi do na “bekojë” vetëm ditët e fundjavë. Sepse duke nisur që të dielën në darkë në vend pritet sërish rikthimi i rreshjeve, fillimisht në zonat malore, për të përshkuar gjithe vendin në fillimjavën e ardhshme. Të hënë dhe të martë-parashikojnë specialistët do ketë rreshje. Moti pritet të stabilizohet sërish të mërkurën e javës që vjen.
Specialistët e shërbimit sinoptik ajror e cilësojnë “pranverë të tretë” këtë që po ndodh aktualisht.
Cilësohen të pazakonta ndryshimet me 15 gradë Celsius të vlerave të temperaturave brenda ditës. Sipas sinoptikanes Elvira Qilimi kjo ndodh për shkak se Mesdheu preket nga rryma ajrore të ftohta që sjellin rreshje dhe amplituda të mëdha temperaturash.(ns/shqiptarja.com)