Kryeministri Edi Rama ka ndarë një videokartolinë, nga nxënësit e shkollës “Servete Maçi”, Tiranë, teksa jemi në prag të festave të Nëntorit.
Të veshur kuqezi, me simbolet kombëtare, shqiponjën dykrenare nxënësit e shkollës “Servete Maçi” kanë dhuruar një atmosferë emocionuese ndërsa këndojnë “O moj e bukura Arbëri”.
“Mirëmëngjes dhe me këtë kartolinë nga nxënësit e shkollës “Servete Maçi” në Tiranë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Më 28 nëntor Shqipëria feston ditën e flamurit dhe të pavarësisë. Në këtë datë në dy vite të ndryshme kanë ndodhur dy ngjarje historike që kanë shenjuar historinë e Shqipërisë.
Në vitin 1443, më 28 nëntor heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e saj. Ndërsa më 28 nëntor 1912, i quajtur gjithashtu si Nëntori i dytë, u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemaili i cili ngriti flamurin në Vlorë.
Ndërkohë 29 Nëntori përkujtohet si Çlirimi i Shqipërisë nga forcat fashiste italiane e gjermane.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacinal Çlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër okupimit të Shqipërisë. Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane.
Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej te çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimi të Shqipërisë nga pushtimi gjerman. Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që u çliruan me forcat e veta, ndërsa të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit u çliruan me ndihmën e Armatës së Kuqe.
Komente










