Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtuar përpjekjet e tyre në luftë ndaj virusit vdekjeprurës të Ebolës. Presidenti Barack Obama e ka quajtur shpërthimin e virusit Ebola në Afrikën Perëndimore “një kërcënim për sigurinë globale” duke njoftuar kështu një angazhim më të madh të SHBA-vë në luftën kundër virusit.

“Bota po kërkon ndihmë nga Shtetet e Bashkuara. Afrika perëndimore po lufton me një epidemi që nuk është parë asnjëherë më parë. Me kërkesë të qeverisë së Liberisë ne do të shkojmë atje për të krijuar një qendër komanduese në mbështetje të përpjekjeve civile në të gjithë rajonin”, tha Obama gjatë një takimi me zyrtarë të lartë të shëndetit publik në SHBA.

Presidenti amerikan vizitoi një qendër amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve për t’iu komunikuar një plan për vendosjen e 3 mijë trupave në Afrikën Perëndimore, ndërtimin e 17 objekteve të kujdesit shëndetësor, secila me 100 shtretër hapësira izolimi. Përpjekjet amerikane në Afrikën Perëndimore do të fokusohen gjithashtu edhe në trajnimin e personelit të specializuar për të luftuar virusin. Agjencia amerikane për zhvillim ndërkombëtar do të paraqesë edhe një program për shpërndarjen e masave mbrojtëse nëpër shtëpi dhe furnizime mjekësore për 400 mijë familje në Liberi.

Gjatë fjalës së tij, Obama u bëri thirrje vendeve të tjera për të rritur reagimin e tyre, pasi çdo përkeqësim do të çojë në implikime të thella politike, ekonomike dhe të sigurisë në të gjithë botën.

Rreth 2461 persona kanë humbur betejën me virusin vdekjeprurës të Ebolës, ndërkohë dyfishi i tyre mësohet të jenë infektuar me këtë virus. Ky njoftim vjen pasi zyratrët e OKB-së e quajtën sjhpërthimin një krizë shëndetësore të pashembullt në kohët moderne. Koordinatori i Ebolas në këtë organizatë tha se duheshin të paktën 1 miliard dollarë për të luftuar shpërthimin që rrezikon të marrë jetën e mijëra personave.

Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)