UASHINGTON - Presidenti amerikan, Barack Obama ka firmosur sot emrin e Donald Lu si ambasador i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Në një deklaratë për shtyp të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Obama ka mbajtur qëndrim për kandidaturën e Lu, si dhe për kandidatura të tjera postesh të rëndësishme administrative:
“Janë njerëz, që kanë treguar dije dhe përkushtim gjatë karrierës së tyre. Iu ndihem mirënjohës, që kanë pranuar të marrin role të rëndësishme. Mirëpres punën me ta në muajt dhe vitet e ardhshme", shkruan Obama.
 
BIOGRAFIA E DONALD LU:

Donald Lu ka studiuar në Universitetin e Princetonit, ShBA. Është diplomat karriere dhe aktualisht mban postin e zv/shefit të misionit diplomatik amerikan në Nju Delhi të Indisë.
Ka shërbyer në ambasadën amerikane në Baku të Azerbajxhanit, si "i ngarkuar me punë" nga viti 2009-2010 dhe si zv/shef i misionit nga 2007-2009. Në vitet  2003-2006, Lu ka qenë zv/shef i misionit diplomatik amerikan në Bishkek të Kirgistanit. Nga viti nga viti 2001-2003 ka qenë zv/drejtor i Zyrës për Azinë Qendrore dhe Çështjet e Kaukazeve të Jugut. Nga 2000-2001 ka qenë asistent i posaçëm i ambasadorit për Vendet e Saposhpallura të Pavarura. Ka qenë edhe asistent i posaçëm i ambasadorit në misionin diplomatik amerikan në Nju Delhi, zyrtar i konsullatës amerikane në Tbilisi të Gjeorgjisë, zyrtar politik në konsullatën amerikane në Peshavar, Pakistan, vullnetar me Korpusin e Paqes në Sierra Leone në harkun kohor 1988-1990.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)