Presidenti Barak Obama do të dërgojë 300 këshilltarë ushtarakë amerikanë në Irak për të ndihmuar autoritetet e Bagdatit të luftojnë kryengritësit islamikë.
Presidenti Obama është përballur me presion për t’iu përgjigjur përparimit të ekstremistëve që javën e kaluar iu afruan ndjeshëm kryeqytetit irakian, Bagdat.  Ekipet përbëhen nga operativë specialë me detyrën fillestare për të analizuar gjendjen e forcave irakiane të sigurisë. Zyrtarët thonë se dhjetëra prej tyre do të mbërrijnë së shpejti në Bagdat. Trupat ndodhen aktualisht në baza të ndryshme në rajon.

Presidenti Obama thotë se Shtetet e Bashkuara do të intensifikojnë përpjekjet e zbulimit dhe vëzhgimit në mbështetje të operacioneve irakiane. Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se në të ardhmen ka gjasa të ndërmerren veprime ushtarake me fokus të ngushtë, por ai shtoi se nuk bëhet fjalë për një angazhim të ri të forcave amerikane pa afat të caktuar në Irak.
        
“Forcat amerikane nuk do të kthehen në operacionet luftarake në Irak, por do të mbështesin irakianët në operacionet kundër terroristëve që kërcënojnë popullatën në Irak si dhe interesat amerikane”, ka thënë Obama.
 
 
 
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)