Obama në Gjermani, mesazh
Europës: Ruani demokracinë

Obama në Gjermani, mesazh<br />Europës: Ruani demokracinë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama mbërriti pasditen e së mërkurës në Gjermani, ndalesa e dytë pas Greqisë e turit të tij të fundit jashtë kufijve si kryetar shteti i Amerikës.

Në hotelin ekskluziv "Adlon" të Berlinit, ai do të bisedojë gjatë një darke me kancelaren Angela Merkel. Gjatë ditës së enjte janë planifikuar bisedime zyrtare në kancelari. 

Para se të nisej për në Europë Obama e cilësoi kancelaren si "aleaten më të ngushtë ndërkombëtare të tij" gjatë tetë vjetëve të mandatit presidencial.

Të premten Merkel dhe Obama do të takohen me presidentin francez Francois Hollande, kryeministrin italian Matteo Renzi, kryeministrin spanjoll Mariano Rajoy dhe kryeminstren britanike Theresa May.

Takimi zhvillohet nën hijen e zgjedhjes së republikanit të diskutueshëm Donald Trump si president i ri i SHBA-së, i cili gjatë luftës elektorale ka shpallur një sërë ndryshimesh të kursit. Mandati i Obama-s përfundon në janar. Marrëdhëniet transatlantike sipas presidentit Obama dhe kancelares Merkel ndodhen në udhëkryq.

Në një artikull të përbashkët për "Wirtschaftswoche" të dy theksojnë vlerat e përbashkëta si bazë e marrëdhënieve bilaterale. Gjermania dhe SHBA-ja mbajnë bashkarisht përgjegjësi për të mbrojtur një mënyrë të lirë jetese. "Ndaj ne bashkë angazhohemi që në mbarë botën të respektohen e drejta dhe normat ndërkombëtare", shkruajnë ata së bashku.

Ndërkaq, nga Athina, përpara se të nisej në drejtim të Gjermanisë, Obama u shpreh se e ardhmja do të jetë e mirë, përsa kohë njerëzit vazhdojnë të besojnë tek demokracia. 

Ne luftojmë fort në fushata elektorale si në Amerikë, ashtu dhe këtu në Greqi. Por pas zgjedhjeve, demokracia varet shumë nga një kalim paqësor i pushtetit, sidomos kur nuk merr rezultatet që dëshiron. Në javët në vazhdim, administrata ime do të bëjë ç’është e mundur për të mbështetur një tranzicion sa më të qetë të mundshëm sepse kështu duhet të funksionojë demokracia normalisht”, deklaroi Obama. 

Ky është udhëtimi i fundit i Barack Obamës në Europë si President i SHBA-së. Në 20 Janar, ai i dorëzon detyrën republikanit Donald Trump. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Në Bunk’Art2 hapet

Në Bunk’Art2 hapet "Dhoma e Manipulimeve": Për herë të parë tregohet lidhja mes iluzioneve optike dhe propagandës komuniste