SHBA - Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama është shprehur i vendosur se do të përdorë të gjithë pushtetin e tij që tragjedi të tilla si ajo e 14 dhjetorit që u mori jetën 20 fëmijëve dhe 6 të rriturve në një shkollë fillore të mos përsëriten më.

Duke ngushëlluar familjet e viktimave në takimin që zhvilloi mbrëmë në Newtown të Konektikatit, Obama u tha se ata nuk janë vetëm në dëshpërimin e tyre, por i gjithë vendi mban zi bashkë me ta. Presidenti Obama theksoi se këto akte dhune duhet të parandalohen pa asnjë justifikim.

"Ne nuk mund ta tolerojmë më këtë situatë. Këto tragjedi duhet të marrin fund dhe për t’u dhënë fund atyre ne duhet të ndryshojmë. Do të na thuhet se shkaqet e një dhune të tillë janë komplekse dhe kjo është e vërtetë. Asnjë ligj, asnjë grup ligjesh nuk mund ta eliminojë ligësinë nga bota dhe të parandalojë çdo akt dhune në shoqërinë tonë. Por kjo nuk duhet të shërbejë si justifikim për të mos vepruar”, u shpreh Obama.

Presidenti amerikan ka zhvilluar edhe takime private me familjet e personave që humbën të dashurit e tyre në shkollën fillore “Sandy Hook” në Konektikat.

Dhimbja që shkaktoi kjo masakër është ende e dukshme kudo. Gjatë natës njerëzit qëndruan së bashku duke bërë lutje, të heshtur dhe të mbytur në lot.

Mëngjesin e 14 dhjetorit, 20-vjeçari Adam Lanza vrau nënë e tij në shtëpi, më pas shkoi në shkollën fillore “Sandy Hook” që kishte pranë shtëpisë dhe vrau 20 fëmijë, të gjithë të moshës 6 deri në 7 vjeç. Mjeku i Konektikatit tha se disa fëmijë ishin qëlluar më shumë se 11 herë, duke theksuar se kjo ishte ngjarja më e rëndë që kishte parë ndonjëherë.

Viktima të kësaj tragjedie mbeten edhe 6 të rritura. Midis tyre ishte mësuesja 27-vjeçare Victoria Soto, e cila i kishte futur fëmijët në dollap dhe u përball me agresorin. Guximi i saj i kushtoi jetën. Viktima të sulmin mbetën edhe presidentja e shkollës me psikologen, të dyja heroina që dhanë jetën e tyre për të shpëtuar atë të fëmijve.

Policia ende nuk ka arritur të gjejë motivet që shtyn 20-vjeçarin të kryente një masakër të tillë në komunitetin e vogël ku jetonte. Viktima e parë ishte nëna e tij, e cila sipas policisë ishte koleksioniste armësh dhe kishte një arsenal të sajin në shtëpi. Ajo shpesh ikte me fëmijët për qitje. Mësohet se 20-vjeçari i vogël ka shkuar në shkollën fillore “Sandy Hook”, por ka pasur probleme për t’u përshtatur në komunitet dhe ëma e hoqi nga shkolla për disa vjet. Detaj tjetër i policisë është edhe fakti që një ditë më parë së të kryente tragjedinë Adam Lanza ishte zënë me 4 punonjësit e shkollës, 3 prej të cilëve mbetën të vrarë. Njëri prej tyre që ishte pushim atë ditë, është marrë në pyetje nga policia për të zbardhur më tej shkaqet që shtyn 20-vjeçarin të kryente masakrën që tronditi mbarë popullin amerikan por edhe të tërë globit.

I ati i Adamit, Peter Lanza, i cili ishte divorcuar me nënën e tij në 2009 duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave tha se “ende nuk e besojmë që kjo ka ndodhur. Familja jonë është në zi bashkë me ju”.

Masakra e 14-dhjetorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është rasti i parë, prandaj dhe janë ngritur diskutime dhe debate të ashpra për ligjin mbi armët në SHBA. Senatorja demokrate Dianne Feinstein deklaroi dje se do të paraqesë në Senat një projektligj, i cili ndalon armët sulmuese.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)