"Është një njeri i mirë dhe familjar. Është një zëdhënës i vizionit të guvernatorit Romney. Por, në fakt është një vizion me të cilin unë thellësisht nuk bie dakord", u shpreh Obama gjatë një takimi për mbledhje fondesh në Çikago.
Në cilësinë e arkitektit të një buxheti që parashikon shkurtime të thella në skemën sociale, Ryan do të portretizohet nga stafi i fushatës së Obamës si një kërcënim për të moshuarit dhe të varfrit.
Demokratët duhet të lënë paksa mënjanë sulmet deri më tani të suksesshme të fokusuara ndaj kandidatit Mitt Romney dhe të kaluarës së tij financiare duke u përqëndruar edhe tek politikat e programit.
Në artikulimin e Obamës, Ryan shihet si një lider ideologjik por që mbështet një politikë që rëndon shtresat e mesme të shoqërisë amerikane.
Paul Ryan u prezantua dy ditë më parë nga kandidati për president Mitt Romney si shoqëruesi i tij në garën presidenciale të 6 nëntorit.
(dm/shqiptarja.com)
