SHBA - Barack Obama dhe Mitt Romney po kryejnë përgatitjet e fundit për debatin e tretë televiziv në garën presidenciale përpara zgjedhjeve të 6 nëntorit. Diferenca mes dy rivalëve është ngushtuar së tepërmi çka e bën vendimtar debatin për të përcaktuar kush do të shkojë më i avantazhuar në votime.

Të dhënat e publikuara nga sondazhet të shtunën tregojnë se demokratët kanë një avantazh të lehtë ndaj guvernatorit të Massachusetts por diferenca ka ndryshuar krahasuar me atë të fillimit të javës. 46% e të pyeturve thanë se do të votonin për Obamën në zgjedhjet e nëntorit ndërsa 45% kishin si zgjedhje Romneyn.

Të premten, Obama kishte një avantazh më të dukshëm prej tre pikësh. Debatet e deritanishme janë ndarë barazim pasi Romney u përceptua se e fitoi sfidën e parë televizive me diferencë të thellë ndërsa Obama të dytën. Debati përfundimtar i së hënës pritet të jetë shumë i rëndësishëm pasi do të përqëndrohet tek çështja e politikës së jashtme.

Obama po e kalon fundjavën në Camp David në Maryland për tu përgatitur ndërsa Romney ndodhet në Florida, shteti ku do të mbahet debati i tretë.

(dm/Shqiptarja.com)