SHBA- Dy javë përpara zgjedhjeve presidenciale Barack Obama dhe Mitt Romney vazhdojnë fushatën intensive për të siguruar mbështetjen e amerikanëve. Obama votoi të enjten në qytetin e tij Çikago të Illinoit, ndërsa zoti Romney zhvilloi mitingje në shtetin Ohajo.

Barack u bë presidenti i parë amerikan që votoi para kohe në zgjedhjet presidenciale ndërsa Michelle votoi javën e kaluar.

Nga votuesit e regjistruar, 18 % kanë deklaruar se kanë votuar para kohe, mes të cilëve 55 % kanë zgjedhur Obamën dhe 40 % Romneyn.

Në orët e fundit, Obama shkoi me avionin presidencial nga Los Anxhelos i Kalifornisë në Tampa të Floridës.

"Mësova me krenari se ne kemi mbështetjen e Kolin Pauell-it në këtë fushatë. Unë i jam mirënjohës për shërbimet që i ka bërë vendit gjatë gjithë jetës së tij, si ushtar dhe si diplomat", u shpreh Obama.

Ndërkaq, Mitt Romney zgjodhi të bënte fushatë në një kompani çeliku në Ohajo, ku sondazhet tregojnë se kandidati demokrat është në avantazh. Romney kritikoi atë që e quajti vogëlsi të fushatës Obama, duke thënë se amerikanët nuk mund të përballojnë edhe katër vjet udhëheqje nga ky president.

Sondazhet e deri më tanishme tregojnë se gara mes dy kandidatëve është shumë e ashpër dhe praktikisht mund të cilësohet një barazim. Vëmendja tanimë është përqendruar tek të pavendosurit, të cilët mund të krijojnë shkëputjen deri ditën e zgjedhjeve.
(eç/shqiptarja.com)