Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, ka pezulluar nga detyra të gjithë zinxhirin komandues të Komisariatit të Policisë Himarë, që kanë qenë në detyrë gjatë periudhës kur është ndërtuar një objekt 5-katësh pa leje në Qeparo.

Nga detyra janë pezulluar Nënkomisari Ferit Merkaj, Komisari Emiljano Prenga, Nënkomisari Klodjan Petani dhe Inspektori Redin Çaushaj, ndaj të cilëve ka nisur paralelisht edhe hetimi disiplinor.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se ndërtimi i objektit kishte filluar në dhjetor 2025 dhe nga ana e Komisariatit të Policisë Himarë nuk janë marrë masa për parandalimin e ndërtimit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit nga Laçi që po kryente ndërtimin.

Njoftimi i Policisë:

Policia e Shtetit/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, pezullon nga detyra gjithë zinxhirin komandues të Komisariatit të Policisë Himarë, që kanë qenë në detyrë gjatë periudhës kur është ndërtuar një objekt 5-katësh pa leje në Qeparo, Himarë

Në vijim të masave të marra për evidentimin dhe goditjen e ndërtimeve pa leje, si dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave përgjegjës, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, konkretisht:

- Nënkomisar F. M., ish-Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Vlorë;

- Komisar E. P., ish-Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Divjakë;

- Nënkomisar K. P., ish-Specialist për Hetimin e Krimit, Zona Policore nr. 1, aktualisht Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë;

- Inspektor R. Ç., me detyrë Ndihmës/Specialist SPZ, Zona Policore nr. 1, në Komisariatin e Policisë Himarë, zonë në të cilën u konstatua ndërtimi pa leje.

Pezullimi i menjëhershëm i tyre dhe nisja e hetimit disiplinor u bë pasi, në vendin e quajtur “Sugë”, Qeparo, Himarë, u konstatua se shtetasi L. B., banues në Laç, kishte ndërtuar një objekt me një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë, pa lejen e organeve kompetente.

Ky shtetas u arrestua ditën e djeshme nga Komisariati i Policisë Himarë, ndërsa u shpallën në kërkim 3 punonjës të IMT-së Himarë, konkretisht kryeinspektori dhe 2 inspektorë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga verifikimet paraprake rezulton se ndërtimi i objektit kishte filluar në dhjetor 2025 dhe nga ana e Komisariatit të Policisë Himarë nuk janë marrë masa për parandalimin e ndërtimit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që po kryente ndërtimin.

Policia e Shtetit është e vendosur të ndëshkojë dhe largojë nga radhët e saj, cilindo punonjës policie që nuk zbaton ligjin, nuk përmbush detyrën, abuzon me të dhe cenon besimin e qytetarëve.


Lajmi kryesor:

Ndërtoi objektin 5-katësh pa leje në Qeparo, arrestohet pronari! Shkrihet IMT e Bashkisë, në kërkim kryeinspektori e 2 vartës! Hita pezullon zinxhirin komandues të Policisë Himarë (VIDEO + EMRAT)