Kombëtarja shqiptare do të nisë të shtunën Ligën e Kombeve, duke u përballur në grup me Bjellorusinë. Edhe pse kuqezinjtë janë favoritë, kreu i FSHF-së Armand Duka thotë se vetëm të bashkuar dhe të impenjuar maksimalisht mund të arrihet vendi i parë. Sipas kreut të federatës është shumë e rëndësishme mënyra se si do të nisë ky kompeticion.

“Personalisht kam një lloj meraku apo preokupimi për këtë ndeshje, sepse në pamje të parë gjithkush mendon se ne jemi favoritët dhe ne e fitojmë grupin, por asnjëherë nuk mund të vijë vetë. Fitorja vjen vetëm nëse impenjohesh maksimalisht, ke dëshirë, angazhim dhe koncentrimin maksimal. Kështu që nga dita e parë duhet me e filluar seriozisht, me u impenjuar në stërvitje, me u impenjuar në çdo moment gjatë këtij grumbullimi. Grumbullimi është i gjatë, katër ndeshje.

Objektivi ynë është i qartë, ne duam të dalim në vendin e parë, por vendi i parë nuk vjen vetë. Duam ta fillojmë mbarë me Bjellorusinë, por kush nuk do që ta fillojmë mbarë. Të gjitha skuadrat duan ta fillojnë mbarë. Të njëjtën gjë mendon edhe Bjellorusia, të njëjtën gjë mendon edhe Finlanda dhe ato mendojnë që janë favoritë dhe ne mendojmë. Favoritë bëhesh në fushë, ndeshjen e fiton në fushë me impenjim maksimal,”-tha Duka.

Presidenti Duka u ndal edhe te një prej vlerave që ka karakterizuar Kombëtaren shqiptare ndër vite, duke veçuar frymën e skuadrës dhe rëndësinë e krijimit të një atmosfere pozitive brenda grupit.

“E vetmja forcë e jona, jo sot, në gjithë historinë dhe në ADN-në e Kombëtares shqiptare nuk kanë qenë kualitetet individuale të veçanta, nuk kanë qenë lojtarë të nivelit të lartë, por ka qenë fryma e skuadrës, duke punuar bashkë, duke qenë në një atmosferë pozitive. Energjia pozitive sjell edhe rezultat pozitiv, energjia negative nuk të çon kërkund. Nuk na ka munguar asnjëherë në gjithë historinë tonë dhe duhet ta vazhdojmë këtë traditë.

Kemi lojtarë me shumë eksperiencë këtu, nuk dua t’i përmend me emra sepse ju i dini, kemi edhe të rinj. Duhet të bëjmë një ndërthurje fantastike, për të bërë vërtetë atë energjinë fantastike që i duhet futbollit,”-u shpreh ai.

Në fund, Presidenti i FSHF-së uroi lojtarët dhe stafin për ditët e grumbullimit dhe sfidat që i presin, duke kërkuar përqendrim, karakter dhe përkushtim maksimal për të arritur objektivin.

“Me energji pozitive, me përqëndrim maksimal, me impenjim maksimal, me karakter, me përkushtim ne mund të arrijmë të dalim të parët. Dua t’ju uroj shumë sukses. T’ju uroj që të jeni sa më mirë, të lumtur dhe të kënaqur këto ditë dhe të kaloni mirë në stërvitje dhe të festojmë me Bjellorusinë për të udhëtuar bashkë më se të gëzuar në ndeshjet e tjera”, – tha Presidenti Duka.

Këto fjalë Duka i shprehu në një takim të mbajtur mbëmjen e së hënës me stafin e Kombëtares.