O’Brien e rikonfirmon mbështetjen e SHBA-së për të dërguarin e lartë në Bosnje

O’Brien e rikonfirmon mbështetjen e SHBA-së për të dërguarin e lartë në Bosnje

James O'Brien

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, e ka rikonfirmuar mbështetjen e Uashingtonit për përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, gjatë një vizite në këtë vend më 2 shkurt.

Në një takim në Sarajevë, O’Brien dhe Schmidt biseduan për ato që i cilësuan si sfidat më urgjente me të cilat po përballet Bosnja, njoftoi Ambasada amerikane në Bosnjë.

Prej se Marrëveshja e Dejtonit, e cila i dha fund luftës së Bosnjës të viteve 1992-95, Bosnja përbëhet nga federata bosnjako-kroate dhe nga Republika Sërpska, nën një qeveri të dobët qendrore.

Ky vend mbikëqyret nga një përfaqësues i lartë civil me mbështetjen e OKB-së dhe me një pushtet të madh, pozitë që aktualisht mbahet nga Schmidt, i cili është duke u kundërshtuar nga Millorad Dodik, presidenti i entitetit të dominuar nga serbët në Bosnjë Hercegovinë, Republika Sërpska.

Dodik, i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, ka bërë thirrje për ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnja.

Ndaj Didikut është ngritur aktakuzë për dy ligje të cilat i miratoi në korrikun e kaluar, të cilat ia mundësojnë entitetit serb të Bosnjës t’i anashkalojë apo shpërfill vendimet e Schmidtit.

Të dyja këto ligje u miratuan në qershor nga Kuvendi i Republikës Sërpska, në të cilin partia e Dodikut, Aleanca e Social-Demokratëve të Pavarur, e ka shumicën.

Schmidt i anuloi të dyja këto ligje më 1 korrik. Ai po ashtu bëri ndryshime në Kodin Penal të Bosnjës, i cili tani përcakton që një zyrtar i cili nuk i respekton vendimet e përfaqësuesit të lartë mund të ndëshkohet me dënim me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe t’i ndalohet mbajtja e të gjitha posteve publike.

O’Brien i kundërshtoi pretendimet e Dodikut për shkëputjen e Republikës Sërpska nga Bosnja.

“Subjektet i nënshtrohen shtetit të Bosnjë e Hercegovinës, dhe për të qenë shumë i qartë, Republika Sërpska nuk është shtet dhe nuk ka atribute të shtetësisë”, tha O’Brien gjatë një ligjerate para studentëve në Sarajevë, në Fakultetin e Shkencave Politike më 2 shkurt.

Siç tha ai, SHBA-ja mbështet fuqishëm sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin multietnik të Bosnjë e Hercegovinës.

"Nga të gjitha sfidat me të cilat po përballet Bosnja dhe Hercegovina, asnjë nuk është më e madhe se përshkallëzimi i retorikës, veçanërisht historia e shkëputjes," tha O'Brien, duke shtuar se "thirrje për krijimin e kufijve të rinj ose ndryshimin e kufijve të njohur ndërkombëtarisht, përpjekjet për të nxitur dhe lavdëruar dhunën etnike dhe nacionaliste, mosrespektimin e institucioneve kyçe si Gjykata Kushtetuese - përfaqësojnë veprime anti-Dayton, antikushtetuese dhe të rrezikshme”.

"Ne do t'i përgjigjemi veprimeve anti-Dayton dhe antikushtetuese dhe nuk do të lejojmë që aktorët keqdashës të përçajnë vendin," tha ai.

Ai e rikonfirmoi mbështetjen e Uashingtonit edhe për “integritetin e Bosnjës në institucionet euroatlantike dhe u bëri thirrje liderëve t’i miratojnë reformat të cilat i plotësojnë standardet ndërkombëtare, që janë të nevojshme për arritjen e këtij qëllimi”.

Bosnja e mori zyrtarisht statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkim Evropian në dhjetor 2022, por ende nuk i ka nisur bisedimet për anëtarësim me bllokun, pasi kërkohet plotësimi i disa kritereve të caktuara./REL

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!